Autori boshnjako – serb Mesha Selimoviq (Mehmedalija "Meša" Selimović) (26 Prill 1910 - 11 Korrik 1982) mbetet një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Evropës Juglindore.
Autori boshnjako – serb Mesha Selimoviq (Mehmedalija "Meša" Selimović) (26 Prill 1910 - 11 Korrik 1982) mbetet një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Evropës Juglindore. "Unë rrjedh nga një familje myslimane e Bosnjës, ndërsa nga etniteti jam serb. I takoj letërsisë serbe, ndërsa për sa i përket letërsisë boshnjake, së cilës i takoj gjithashtu, atë e konsideroj vetëm si denotim gjeografik të letërsisë, dhe jo njësi të veçuar nga ajo serbo-boshnjake".
Mbasi mbaroi studimet për gjuhën dhe letërsinë serbe në Universitetin e Beogradit më 1930, Selimoviq shkroi në gjuhën serbo-kroate. Dialekti i tij i shkruar ka influencuar sot gjuhën standarde, e cila përdoret në Bosnje. Puna e tij më e njohur "Dervishi dhe Vdekja" (Botuar më 1966) lidhet me Bosnjën e Hercegovinën dhe me kulturën e banorëve myslimanë në një nga pjesët otomane të Bosnjës. U arrestua që në fillim të luftës në vendlindjen e tij në Tuzlla për antifashizëm dhe për dy vjet ishte në burg.
Pas lirimit, u bë një nga emisarët kryesorë të antifashizmit në Tuzlla, ku sot i kanë ngritur një shtatore. Gjatë luftës, vëllai i Meshës u pushkatua pa gjyq, me akuzën për vjedhje nga komunistët. Letra dhe përpjekja e Meshës në mbrojtje të tij dështoi e pafat. Ishte tamam sfilitja shpirtërore dhe ndjesia e fajit ndaj vëllait, ajo që i dha jetë romanit të tij "Dervishi dhe Vdekja", ku personazhi kryesor i veprës, Ahmet Nuredin, i trajtuar disi në formën e "Procesit" të Kafkës, sipas kritikës, rreket më kot të shpëtojë vëllanë, që e kanë vrarë ndërkohë.
Paslufta e gjen në Beograd, por më pas zhvendoset në Sarajevë, ku është profesor në Shkollën e Lartë të Pedagogjisë dhe në Fakultetin e Filologjisë, drejtor artistik i "Bosna Film", shef i seksionit të dramës në Teatrin Kombëtar dhe pastaj kryeredaktor i "Svjetlost". Këtu filloi një konflikt i tij me intelektualët dhe politikanët vendës dhe vitet e fundit i mbylli në Beograd. Ishte që në të gjallë tepër i vlerësuar, por njëkohësisht edhe disi i tërhequr. "Unë nuk zgjedh dot atë që jam. Nuk zgjedh në fakt asgjë, as lindjen, as familjen, as emrin, as qytetin, as popullin, të gjitha më janë imponuar. Akoma më e çuditshme është se çfarë më imponohet kur transformohem për dashurinë. Sepse, vërtet diçka mund të jetë imja, por e gjitha mbetet e çuditshme dhe përshtatja me rrugicën, qytetin, fundin, qiellin që shikoj mbi vete që nga fëmijëria. E gjitha nga llahtari i boshllëkut, nga bota e ngelur pa mua. Unë atë e mbërthej, e imponoj, në rrugicën time është njësoj, në qiell shpresa për mua është njësoj, por nuk dua të di që është njësoj,e i frymoj atij dashurinë, që të ma rikthejë sërish pas", shkruan diku.
"Dervishi dhe Vdekja" e Mesha Selimoviq u përkthye që në të gjallë të tij në të gjitha gjuhët e Perëndimit, në disa gjuhë të Lindjes dhe është ekranizuar disa herë. Në shqip ka ardhur për herë të parë nga Esat Mekuli dhe Tajar Hatibi botuar në vitin 1968 në Prishtinë. Çdo kapitull i romanit të tij hapet me një varg Kuranor.
Në një Kasaba të vogël në Bosnje, në periferi të Perandorisë Osmane, një Dervish mundohet të shkruajë historinë e jetës së tij. Ka dhe pak çaste. Jashtë troku i natës po afrohet bashkë me fundin e jetës së tij. Pena i dridhet, ndërsa ajo që do të shkruajë si dëshmi të jetës, është e madhe.