Enriko Brici u lind në Nisë në vitin 1974. Në librin "Një histori dashurie me rock & roll - Xhek Frushante la grupin", dëshmi e aftësisë shpërthyese për të folur me të gjithë e për të gjithë, ka përshkruar hapat e parë në jetën shoqërore të një djaloshi të hedhur, që ngërthen në vetvete gjithë çapkënllëqet dhe harenë e moshës, i gatshëm t'u dalë ballas telasheve e mashtrimeve, kryelartë ndaj kujtdo që rreket t'i kallë frikën.
Stili letrar i Enriko Bricit shquhet për njëfarë anarkie gjuhësore. Pikësimi dhe kujdesi në përdorimin e duhur të kohëve të foljeve nuk janë shumë të pranishëm, ashtu si në të folurit e shkujdesur të të rinjve , që është i pasur me zhargone dhe dialekte. Stili i Bricit karakterizohet nga i ashtuquajturi "përroi i ndërgjegjes".
Falë gojëtarisë që s'ka të sharë dhe përshkrimeve mjeshtërore, vihet në ballë të shokëve dhe u hap sytë; një udhërrëfyes i sigurt që s'lë dy gurë bashkë. Gjuha, e mbarsur me lojëra fjalësh dhe konceptesh, duke arritur kulmet e ilaritetit dhe të shpotisë, e bën këtë roman mishërim të prirjeve rinore, idhull të adoleshentëve.
Tashmë, historia e Aleksit dhe e Aidit është kthyer në një nga klasikët e letërsisë italiane më të lexuar për të rinj. Shkruar nga një 19 - vjeçar bolonjez, ky libër gjysmë - autobiografik ka shitur mbi dy milionë kopje dhe është përkthyer në njëzet gjuhë të botës.