Marguerite Duras, konsiderohet si “zonjë e parë” e letrave franceze, dhe romani “Dashnori” (L’Amant, 1984) i së cilës është fitues i çmimit të madh letrar “Prix Goncourt”, i përkthyer deri tani në më shumë se 40 gjuhë, i vlerësuar si një nga dhjetë romanet më të mira të botuara në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar dhe një bestseller si në Europë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara
Marguerite Duras lindi më 1914, në Indokinë, bija e dy mësuesve francezë. Edukimi i saj kolonial e frymëzoi për imazhet e këqija dhe ekzotike, që gjurmët i lanë në librat e saj – ai përbën gjithashtu subjektin e romanit të hershëm “Un barrage contre le Pacifique” (1950), por edhe të veprës së saj më të njohur, “Dashnori” (botimi i parë – DITURIA, 1995; botim i rishikuar – DITURIA, 2014), që është historia e dashurisë mes një pesëmbëdhjetëvjeçareje franceze dhe një të riu kinez miliarder, në sfondin e portretit të një familjeje në Indokinën e viteve tridhjetë.
Duras u shpërngul në Paris më 1931 dhe katër vjet më vonë u diplomua në drejtësi. Ajo ka punuar si sekretare në Departamentin e Kolonive – punë të cilën e braktisi me pushtimin gjerman të Francës, më 1940, kohë kur Duras iu bashkua Rezistencës. Për një dekadë, ajo ka qenë anëtare e Partisë Komuniste Franceze, për të cilën shkroi më vonë me një lloj përbuzjeje lakonike, u dallua edhe në gazetari e publicistikë, dhe së fundit është bërë e njohur jashtë vendit për skenarët e saj, nga të cilët më i njohur është ai i 1961, “Hiroshima, Mon Amour”. Në fakt, që me romanin e saj të parë, ajo hyri në letërsinë bashkëkohore franceze si një uragan, ku natyra njerëzore gjeti pasqyrimin e vet më të çiltër. Emri i saj ka mbi pesëdhjetë vjet që udhëton nëpër botë me vepra befasuese, në të cilat problemet e mprehta sociale që shqetësojnë sot botën njerëzore kanë gjetur te pena e shkrimtares bisturinë e së vërtetës së dhimbshme. Personazhet e Duras përpiqen t’i shmangen vetmisë, për t’i dhënë kuptim jetës së tyre nëpërmjet dashurisë absolute, krimit apo çmendurisë. Duras ndoshta është nga shkrimtarët e rrallë që nuk i kanë fshehur asgjë lexuesit, duke bërë autopsinë e tyre, mbasi kanë bërë autopsinë më të vështirë të njeriut, atë të vetvetes. Romanet e Duras janë histori e rrëfime të shkurtra me personazhe, emra vendesh, linja dialogu, ngjarje dhe situata që përsëriten vazhdimisht, duke krijuar një atmosferë vetëreferencialiteti klaustrofobik. Në thelb, ato janë meditime rreth temës së një dashurie erotike që të çon në skllavëri ose vdekje. Edhe pse ka dhunë në veprat e saj, kjo është një dhunë për të cilën personazhet nuk janë protagonistë, por vëzhgues bashkëpunues. Në romanin e saj të parë, “Les Impudents” (1943), heroina mbulon vrasjen e mundshme të të vëllait ndaj të dashurës së tij. Në romanin e saj të dytë, ajo fsheh vrasjen e tij ndaj ungjit. (Djali pastaj vret veten.) Në veprën e gjallë e plot zgjuarsi, me titull “Dhjetë e gjysmë e mbrëmjes në verë” (botim i rishikuar, DITURIA, 2016), një grua me pushime në Spanjë ndihmon për arratisjen e një të panjohuri vendës, i cili sapo ka vrarë gruan dhe të dashurin e saj. Heroina ëndërron të fillojë një jetë të re me të huajin dhe fyhet kur ai e paguan përkujdesjen e saj duke kryer vetëvrasje.
Burrat dhe gratë e Duras flenë, dehen dhe dëshirojnë vdekjen: ata janë kukulla të marrta që s’kanë kurrfarë kontrolli mbi fatet e tyre dhe kështu kandidatë të përsosur për t’u manipuluar nga një autore me peshë, që ka shumë për të thënë (edhe pse asnjëherë drejtpërdrejt) për vdekjen, vetminë dhe kotësinë.
Në romanet e Duras, vendin e veprimit e zë ndjesia: pasionet binjake janë narcisizmi dhe një dëshirë e madhe për të vuajtur. Kjo dëshirë e madhe shpesh është e ngopur nga vuajerizmi seksual: heroina tipike e Duras shtyn të dashurin e saj apo burrin të joshë shoqen e saj më të mirë, në mënyrë që ajo të mund të këqyrë – një temë, veçantia e së cilës mund të ndihmojë për të shpjeguar se pse veprat e Duras kanë arritur një lexues më të gjerë sesa ka tërhequr zakonisht letërsia eksperimentale franceze.
Marguerite Duras është vlerësuar shpesh për stilin e saj të bukur në prozë. Stili letrar i këtyre rrëfimeve të mprehta dhe pikante të zjarrmisë, ligështisë dhe tradhtisë është i thjeshtë. Frazat janë koncize, dialogu i reduktuar në një shkëmbim monologësh të përsëritur, skenat janë të shkurtra dhe sureale. Megjithatë, “Dashnori i Kinës së Veriut” (DITURIA, 2016) nuk është thjesht “romani për dashnorin”, nuk është thjesht një roman ndjenjash, por edhe një lloj rikthimi në të kaluarën e Duras, historia e një “ngjarjeje”, në kuadër të kolonializmit të viteve tridhjetë, në një lokalitet të Savanahës, në jug të Indokinës franceze, e cila qëndron në zanafillë të historisë së jetës së saj, dhe, paralelisht, në produktin e frytshëm narrativ, kinematografik, teatral, eseistik etj. Është e vërtetë, në fakt, që të gjitha romanet e Duras vënë në skenë dëshirën: e të shkruarit, nga njëra anë, por edhe, mbi të gjitha, të dashurisë si “iluzion i paharruar”, që përsëdytin “kërkimin e një çasti të humbur”, të një “ngjarjeje e cila ka zgjatur fare pak por që i ka dhënë jetë një sigurie të përhershme” dhe që është e paracaktuar të përsëritet si një lloj rifillimi përfundimtar; është e vërtetë edhe se kjo ngjarje do të jetë e destinuar të përsëritet, sidomos në veprat, të cilat edhe pse zënë vend në kufirin mes shkrimit letrar dhe atij autobiografik, inkuadrojnë fragmente nga një histori personale, copëza kujtimesh që “murosin” të shkuarën. “Dashnori” dhe “Dashnori i kinës së Veriut” janë, saktësisht, romane të kësaj “ngjarjeje”. Edhe “Dhimbja” (DITURIA, 2016) – përmbledhja e gjashtë historive të shkurtra autobiografike dhe gjysmëautobiografike, të shkruara gjatë dhe menjëherë pas pushtimit gjerman të Francës – është një dëshmi intime, drithëruese dhe e pasionuar për tragjedinë e deportimeve dhe të kampeve të përqendrimit. Janë faqet ku Duras tregon – si grua dhe si bashkëshorte – për dhimbjen, e rrënjosur e gjitha në shpresën e pritjes, një pritje e ankthshme, e shoqëruar nga tragjedia e kthimit: kthimit të bashkëshortit që nuk ishte më njeri, por tashmë i shndërruar në një larvë. Janë faqe të një ditari, të cilin vetë autorja e përcakton si një nga gjërat më të rëndësishme të jetës së saj.
Nga krijimtaria e gjerë dhe e pasur, e gjitha e përkryer, që ka dalë nga pena e një koloseje të letërsisë franceze dhe europiane, siç është Marguerite Duras, lexuesi shqiptar ka fatin të lexojë në shqip katër veprat e botuara nga Sh. B. DITURIA nën përkthimin e kujdesshëm, profesional dhe mjeshtëror të përkthyesve Mira Meksi (Dhjetë e gjysmë e mbrëmjes në verë), Nasi Lera (Dashnori) dhe Krenar Hajdëri (Dashnori i Kinës së Veriut dhe Dhimbja).
Marguerite Duras lindi më 1914 dhe që me romanin e saj të parë hyri në letërsinë bashkëkohore franceze si një uragan, ku natyra njerëzore gjeti pasqyrimin e vet më të çiltër. Emri i saj ka mbi 50 vjet që udhëton nëpër botë nëpërmjet veprash befasuese, ku problemet e mprehta sociale që shqetësojnë sot botën njerëzore, kanë gjetur te pena e shkrimtares...
Një ngjarje unike letrare: M. Duras, pasi mëson për vdekjen e burrit që kishte qenë protagonist i romanit "Dashnori", gjashtë vjet më pas rishkruan historinë e dashurisë. Protagonistët janë po ata: burri kinez dhe pesëmbëdhjetëvjeçarja e bardhë. I njëjti sfond: Indokina e viteve tridhjetë, me pasditet e saj rraskapitëse, aroma e shiut dhe jaseminit,...
Mbase nuk ka një libër për luftën, për Holokaustin, për vdekjen, ku sentimentalizmi të mungojë kaq fort. Dhe ku dhimbja të flasë kaq shumë.