Principata e Arberit Shiko më të madhe

Principata e Arberit

Nikolle Loka NL0009

Libër i ri

Përshkrim i shkurtër

E ku e ka gjetkë zanafillën shteti arb përveç se në Ndërfanë të Mirditës... Këtë tezë mbron fort studiues Nikoll Loka në një studim profesional dhe tejet provokues, që rend të sfidojë disa nga tezat e historiografisë zyrtare të deritanishme. Për çështjet e mëdha që shtron ky libër, por edhe për rëndësinë që pati zhvillimi gati 25-vjeçar i Arbërisë në shekullin e XIII, ky libër ia vlen të lexohet jo thjeshtë si një leksion i mirë historik, por edhe si një fenomen ku ngjizet bërthama e shqiptarëve të sotëm

Më shumë detaje

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

MIRGEERALB
ISBN978 9928 07 373 0

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 libra të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

Gjatë 20 viteve të fundit ka pasur përpjekje të historishkrimit për rindërtimin e identiteteve dhe evidentimin e vlerave në treva të caktuara. Prandaj libri "Principata e Arbrit, - shteti i parë i shqiptarëve" vjen si produkti më serioz dhe më me baza shkencore në këtë taban. Po ashtu, ky botim iu ofrohet lexuesit edhe si sprovë individuale, si kërkim shkencor dhe historik, si përpunim i mendimit historik të disa prej tezave të historianëve dhe shkencëtarëve të spikatur shqiptarë dhe të huaj gjatë tre shekujve të fundit që nga Farlati, Shuflaj, Marin Sirdani, Jireçek, Injac Zamputi, Zef Mirdita, Kristo Frashëri, Aleksandër Meksi, Oliver Shmid, Kasem Biçoku, Pëllumb Xhufi, Etleva Lalaj, etj.

Ky libër është pjesë integrale e njohjes thelbësore e Arbërisë dhe përvetësimit të zejes së shkrimit të historisë nga autori, që nga botimet monografike për trevat apo personalitetet e Mirditës; e veçanërisht me monografinë për Imzot Nikoll Kaçorrin apo studimin “Kuvendi i Fanit, - pamundësia e një Piemonti shqiptar”. Ky i fundit, bashkë me librin “Principata e Arbërit...” komunikojnë me lexuesit edhe si nevojë urgjente për të ndryshuar disa paradigma historike që kemi mësuar ndër vite nga historia zyrtare, të cilat nuk iu referohen si duhet të dhënave dhe rrethanave historike.

Studimi i thelluar i Nikoll Lokës edhe në fushën e historisë së arsimit në Shqipëri gjatë mijëvjeçarit të fundit, i ka dhënë këtij libri një vlerë të shtuar, si dhe një përmasë të re komunikimi dhe reflektimi me lexuesin e sotëm. Po ashtu, njohja e thelluar e disa gjuhëve të huaja, apo studimi i disa disiplinave, janë garanci me tepër për këdo që kërkon të mësojë nga e kaluara që trajtojnë këto libra dhe sidomos, prurja më e fundit.

Pikërisht mbi këto kolona është ndërtuar edhe ky lexim i imi disi pasional i librit që po promovojmë sot.        

Arbëria vjen si një realitet historik i mbijetuar, me plot sakrifica dhe shenjë identitare e pandërprerë. Padyshim që njësie shtetërore e kohës së Skënderbeut nuk mund ta kishte përmasën dhe shkëlqimin e saj, pa trashëgiminë e çmuar arbnore.

Përmasa moderne e shtetit, që me stemën, emblenën, organizimin ligjor dhe shoqëror, apo diplomacinë dhe bashkëpunimin me vende të tjera, - ia rrisin peshën kësaj periudhe, e cila zgjati shumë pak, por projektoi rrugën për 800 vjet me radhë.

Falë farës së ngjizur nga ky organizim shoqëror dhe shpirtëror, ne sot kemi të gjallë Kanunin e Lekë Dukagjinit si në monument i rrallë i konstitucionit ligjor dhe fuqisë për të sunduar e drejta. Po ashtu, kemi gjuhën e shkruar shqipe, tekstet që nga formula e Pagëzimit, Mesharin, etj., të cilat dolën pikërisht si produkt i këtyre zhvillimeve që pasuan pas krijimit të principatës së Arbnit. Mund të duken pak pretencioze këto që themi, por faktet të gjojnë tek ky shteg.

Misionet benediktine, françeskane dhe domenikane në trevat e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut u bënë pjesë e realiteteve dhe shtuan tiparin identitar të këtyre trevave. Organizimi kishtar katolik qe i vetmi që e respektoi dhe vlerësoi këtë profil identitar, gjë që duket edhe në praninë e madhe të abacive, si njësi “quazi autonome” në këto zona. Këtu duhet kërkuar edhe përpjekja brenda/jashtë arealit për të mos e lejuar këtë identitet dhe organizim që të vazhdojë pandërprerë shtegtimin e tij. Misioni jo vetëm shpirtëror, por edhe edukativ dhe ndikimi ekonomik që patën këto misione, kalçifikuan realitetin arbnor.

Prania e kishave, abacive, bazilikave si qendra shpirtërore është dëshmi e asaj që ndodhet nën dhe mbi tokë në trevat arbnore me qendër trevën ku gjendet Mirdita e sotme. Padyshim, këtu duhet falenderuar veçmas studiuesi Ndue Dedaj. Në gjetjet dhe faktet historike gjejmë edhe fjalët "qytet" "troje", si pjesë e zhvillimit urban të zonës, duke iu hequr mundësinë mendësive populiste për mungesën e qytetit dhe qytetarisë në trevat e dikurshme.  

Ky areal shihet si kordon kulturor dhe shpirtëror i fituar nga arbrit në përballjen e fortë pro Romës dhe kundër Konstandinopojës; pro Perëndimit apo kundër Lindjes, pro shqiptarëve apo kundër serbëve, apo grekëve. Paçka se historia e sjellë nga autori i lë vend gjithkujt që të reflektojë në këtë përballje apo luftë kulturash dhe etnish. Marrje-dhënies me këto kultura, qytetërime dhe epoka kanë lënë pas tipare por kanë formësuar identitetin arbnor. Për shkak të pozicionit gjeografik kyç në lidhjen e rrugëve drejt Prizrenit, Nishit, Shkupit, etj., Arbria mbijetoi si identitet në përballjen ndaj anzhuinëve, sllavëve, por edhe ardhjeve të tjera të mëvonshme, osmane, e kështu me radhë. Por, ajo mori jo pak prej tyre.  

Autori Nikoll Loka duhet përgëzuar për konstruktimin e historisë së Arbërisë, edhe në përpjekjen për të korrektuar apo korrigjuar me fakte shkencore teza të historianëve të njohur për këtë çështje. Pikërisht analiza që i bën zhvendosjes së qendrës së shtetit Arbnor nga Kruja në Ndërfanë të Mirditës, shqyrtimi i fakteve historike dhe përballja e tyre me histori-shkrimit dhe tezat e historianëve shqiptarë dhe të huaj për këtë periudhë dhe këtë trevë, janë ndër meritat thelbësore të studiuesit Nikoll Loka.

Të dhëna

Lloji i botimitHard Copy
Faqe274
ISBN978 9928 07 373 0
Titulli origjinalMIRGEERALB
RedaktoriAlfred Duka
V. Bot2015
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
Grupmoshambi 14 vjeç
StatusiI ri
Numri i botimeveParë