Cmim i reduktuar! Hafiz Ali Korca vepra e plote me 12 vellime Shiko më të madhe

Hafiz Ali Korca vepra e plote me 12 vellime

Hafiz Ali Korça MAS0022

Libër i ri

Përshkrim i shkurtër Veprat e Hafiz Ali Korçës i përkasin fushës së gjuhës, letërsisë, publicistikës, Islamit, përkthimit etj. Në secilën vepër të tij, H. A. Korça ka arritur të paraqesë dhe të trajtojë probleme të rëndësishme që ndërlidhen me kombin shqiptar, por edhe me kulturën shqiptare në përgjithësi.

Më shumë detaje

200 Artikuj

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Alsar
ISBN9789928243911

6 300 Lekë

-10%

7 000 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 libra të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

Botimi i plotë i veprës së Hafiz Ali Korçës prej 12 vëllimesh, e bën më të afërt për lexuesin shqiptar këtë krijimtari me vlera të veçanta, e cila përfaqëson një pasuri të spikatur në prodhimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Profesori, studiuesi dhe përkthyesi Ismail Ahmedi ka arritur të realizojë me sukses njërin ndër projektet e tij më të rëndësishme kërkimore dhe studimore, duke shkruar monografinë për Hafiz Ali Korçen dhe duke botuar, me ndihmën e Fondacionit ALSAR, kompletin e veprave të këtij rilindasi të njohur. Veprat e Hafiz Ali Korçës i përkasin fushës së gjuhës, letërsisë, publicistikës, Islamit, përkthimit etj.
Në secilën vepër të tij, H. A. Korça ka arritur të paraqesë dhe të trajtojë probleme të rëndësishme që ndërlidhen me kombin shqiptar, por edhe me kulturën shqiptare në përgjithësi.
Letërsia shqipe, në njerën anë, dhe islamologjia, në anën tjetër, bëhen preokupimi kryesor i tij, si në dimensionin krijues, po ashtu edhe atë dituror e edukativ.
Më poshtë do të paraqesim titujt dhe përmbajtjen e secilit vëllim:
Vëllimi 1 i veprave përfshin monografinë e gjerë e ndoshta më të plotë për jetën dhe veprën e H. A. Korçës, të hartuar nga prof. Ismail Ahmedi. Kjo monografi e përfaqëson gjerësisht personalitetin e tij në shumë fusha të veprimtit intelektual e njerëzor. Ajo është një analizë e sintezë e veprimtarisë së shumanshme të H. A. Korçës, duke e ndriçuar atë me shumë hollësi e të dhëna të grumbulluara në aspektin patriotik, kulturor, letrar, fetar e politik, të shtjelluara qartë gjuhësisht e me interpretime shkencore profesionale dhe me një literaturë të bollshme bibliografike. Lexuesi do të gjejë në këtë vëllim çelësin për të kuptuar veprën e gjithanshme dhe personalitetin e H. A. Korçës.
Në vëllimin 2 është botuar vepra Shtat ëndrrat e Shqipërisë. Në këtë vëllim poetik, ku janë përfshirë shumë poezi, vendin kryesor e zë tema e atdheut, tema patriotike kombëtare. Në poezi të ndryshme përçohet me ndjenja prekëse poetike shqetësimi i thellë i autorit për gjendjen e Shqipërisë. Aty me një kujdes të matur janë paraqitur etapat historike mjaft të vështira e të ndërlikuara të krijimit të shtetit shqiptar. Në këtë vëllim H. A. Korça shpreh qartë pozitën ideologjike që mbajti në lëvizjen kombëtare, zbulon dhe plagët politike e shpesh përpiqet të parashikojë dhe ilaçet për shërimin e tyre.
Në vëllimin 3 përfshihet poema Jusufi me Zelihanë a më e bukura e ngjarjeve, e cila është një vepër origjinale artistike, e krijuar mbi bazën e një motivi të lashtë të njohur. Parateksti i kësaj poeme është biblikokuranor, po ashtu edhe subjekti trajtohet në atë frymë. Në temën e dashurisë ndërmjet Zelihasë dhe Jusufit, sipas Kuranit dhe poemës, mund të vërehen pika të përbashkëta. Kjo temë është trajtuar dhe nga autorë të tjerë shqiptarë si Muhamet Kyçyku dhe A. Z. Çajupi.
Në vëllimin 4 përfshihet vepra Historija e Shenjtë edhe të katër Halifetë. Në këtë vepër autori ka grumbulluar njohuritë, mendimet dhe konceptet e veta për historinë e shenjtë islame, duke shprehur në mënyrë origjinale gjithë atë pasuri kulturore dhe fetare, duke dhënë një ndihmesë të madhe për studimet islame në përgjithësi dhe për islamologjinë shqiptare në veçanti. Kjo vepër shquhet për frymën polemizuese me ata që i kundërvihen nga pozicione e koncepte të ndryshme, për të cilat ai mendon se nuk janë në përputhje me shkencën islame. Kjo vepër poetike ka rëndësi edhe historike, sepse është vepra e parë e këtij lloji në gjuhën shqipe, e cila përveç synimeve arsimore dhe edukative, ndërgjegjësonte masën për përkatësinë e saj gjuhësore.
Në vëllimin 5 është përfshirë vepra Çelësi i librit ShqipArebisht, një gramatikë e gjuhës arabe që ka shërbyer si tekst shkollor në Medresenë e Tiranës që në vitin 1924 dhe që është gramatika e parë arabe ndër tekstet shqipe e hartuar në një nivel që i përgjigjet nevojave të shkollës së mesme. Libri është ndarë në pesëdhjetë e tre njësi mësimore, ku trajtohet në çdo njësi vetëm një çështje gramatikore e shoqëruar kjo me dy ushtrime lidhur me shpjegimet mësimore përkatëse, njëri në gjuhën arabe dhe tjetri në gjuhën shqip. Kjo metodë mund të shfrytëzohet dhe sot me përfitim për ata që duan të mësojnë arabishten. Ky libër është me interes të veçantë si gramatika e parë arabe e hartuar nga një shqiptar në atë periudhë, prej një njeriu të ditur e një metodisti të njohur.
Në vëllimin 6 janë përfshirë dy tekste shkollore: Abetare dhe Alfabeti arabisht. Me këto dy botime H. A. Korça vazhdonte traditën e veprimtarëve të Rilindjes Kombëtare, duke u rreshtuar krahas tyre si figurë qendrore e arsimit dhe edukimit të shqiptarëve, sepse dhe përpjekja e tij për krijimin e një shkolle shqipe ishte ideal kombëtar. Kjo Abetare e tij mund të quhet kontribut i vlefshëm për alfabetin e njësuar dhe për historinë e teksteve në gjuhën shqipe. Me të autori synon tu mësojë nxënësve alfabetin e gjuhës shqipe pas përvetësimit të të gjitha shkronjave dhe shkrimleximin e gjuhës amtare. Të njëjtën natyrë si tekst shkollor ka dhe libri Alfabeti arabisht, si një përpjekje frytdhënëse e Hafiz Aliut për sistemin shkollor në medresetë e Shqipërisë.
Në vëllimin 7 janë përfshirë tre botime të ndryshme: a) Myslimanija, b) Mevludi, 190919231924 dhe c) Treqintetri fjalët e Imami Aliut. Doracaku Myslimanija përmban mësime të besimit mysliman për shkollat fillore, nëpërmjet të të cilit autori ka dashur të emancipojë nxënësit e besimit islam në gjuhën shqipe, sepse deri atëherë mësimi islam zhvillohej në gjuhën turke.
Në krijimtarinë letrare islame të H. Aliut bën pjesë dhe Mevludi. Poemat e njohura për mevludin ai i përshtati në gjuhën shqipe duke mos iu përmbajtur gjithmonë tekstit të poemave në origjinal. Autori i radhit në mënyrë artistike ngjarjet më karakteristike të jetës së Muhamedit a.s. Fitorja e profetit, sipas tij, është universale, prandaj jeta e tij është pasuri e të gjithëve.
Në veprat e H. Aliut me karakter edukativ islam bën pjesë dhe përkthimi i fjalëve të urta me titull: Treqintetri fjalët e Imami Aliut. Kjo vepër është përkthim nga gjuha arabe dhe ka një përmbajtje të larmishme të mendimeve të urta prej treqind e tri fjalish. Lexuesi do të gjejë aty shumë fjali me përmbajtje edukative.
Në vëllimin 8 botohet vepra Komentimi i disa ajeteve dhe sureve të Kuranit. Në këtë vepër Hafiz Aliu që në fillim bën përkthimin e citatit të Kuranit në gjuhën shqipe, në të cilin vërtetohen dërgimi dhe profecia e Muhamedit a.s. Në vijim të punimit jepen të dhëna biografike të Profetit, ku bëhet fjalë veçanërisht për profetin Ibrahim a.s. dhe Ismailin a.s. si ndërtues të Qabesë. Duke folur për moralin dhe karakterin e Muhamedit a.s., Hafiz Ali Korça thekson se shumë filozofë botërorë vetëm nga leximi për profetët kanë përqafuar fenë islame. Po ashtu në këtë vëllim botohet dhe komentimi i një numri të sureve të shkurtra të Kuranit.
Në vëllimin 9 botohet vepra Bolshevizma, në të cilën vihet theksi pikërisht në të ashtuquajturin revolucion komunist të vitit 1917. Konceptet e tij për ideologjinë marksiste janë vizionare, sepse ai me kohë hetoi rrezikun e përhapjes së kësaj ideologjie në Shqipëri dhe në Europë. Autori është përpjekur që në vepër të vinte në dukje gjenezën e komunizmit dhe karakteristikat e tij. Nga ana tjetër kërkon shpëtimin e atdheut nga kjo sëmundje e rëndë.
Në vëllimin 10 botohet vepra Rubaijjati a Katrorët, një përkthim në gjuhën shqipe nga persishtja e veprës së Omer Khajamit nga H. Aliu, i cili hyn kështu në radhën e autorëve të rrallë që këtë vepër e kanë përkthyer drejtpërdrejt nga gjuha persiane. Vepra, përveç pjesës poetike ka dhe dy letra përshëndetëse nga mbështetësit e tij dhe një parathënie të vetë autorit. Kjo e bën këtë vepër jo vetëm një vepër poetike të përkthyer, por dhe një vepër studimore për të njohur lëvizjet fetare e kulturore të Persisë mesjetare. Studiuesit e interesuar do të kenë mundësi të bëjnë krahasimet e ndryshme midis kësaj vepre dhe varianteve të tjera të përkthyera në gjuhën shqipe.
Në vëllimin 11 botohet vepra Gjylistani a Trëndafilishta, një përkthim i H. Aliut i veprës me të njëjtin titull të klasikut të letërsisë persiane Sadi Shirazi. Në përkthimin e tyre përkthyesi është munduar të ruajë vargun dhe ritmin e origjinalit. Mes këtij përkthimi Hafiz Ali Korça pasuroi dhe më tepër letërsinë tonë me një kryevepër poetike, e cila edhe sot lartësohet në sistemin letrar të përbotshëm. Edhe kjo vepër u përkthye drejtpërdrejt nga persishtja. Studiuesit e interesuar dhe me këtë rast kanë mundësi të bëjnë krahasimin midis përkthimeve të bëra nga autorë të ndryshëm, në gjuhën shqipe.
Në vëllimin 12 botohet vepra Publicistikë dhe shkrime të tjera në të cilën janë përfshirë artikuj të ndryshëm të botuar prej tij në organe të ndryshme shtypi, me të cilat ai ka dhënë një kontribut për çështje të rëndësishme për studimet islame në përgjithësi dhe ato shqiptare në veçanti, për shkollën shqipe e për lirinë kombëtare. Ai u angazhua shumë në revistën Zani i Naltë që botohej në Shkodër. Në këtë revistë ai do të shfaqej shpesh me artikuj të ndryshëm në fushën e komentimit të Kuranit, të historisë, të kulturës e të gjuhës shqipe dhe të historisë së letërsisë.
Nga publicistika e tij po sjellim këtu tituj të tillë, si Myslimanizma dhe nasjonalizma, Filozofi mbi fet, Qytetrimi i vërtetë dhe qytetrimi mjestëror, Ndryshim i shpejtë kombtarë, Të ndryshme përmbi moralin, Përmbi naltshkrimin dhe përmbi vjershërimin shqip, Fjalë tarta etj.

Të dhëna

Lloji i botimitPaperback
Faqe3112
ISBN9789928243911
V. Bot2019
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibra
Grupmoshambi 18 vjeç
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë