Cmim i reduktuar! Ditari i gushtit Shiko më të madhe

Ditari i gushtit

Zhuljeta Grabocka Çina ZHG0002

Libër i ri

Përshkrim i shkurtër

Në kërkim të kumtit filozofik të vargjeve të saj poetja pyet veten : “ Si nuk lindën më parë?” Por pa e ditur që t’i japë një shpjegim kësaj ndodhie, sepse është një ëndërr e gjatë, që nanuriste në shpirt, dhe që një ditë u zgjua për të dalë jashtë me një tingull të fortë poetik. Merr një përgjigje edhe ti....

Më shumë detaje

50 Artikuj

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

ADA
Fletët119
ISBN978992819343575

425 Lekë

-15%

500 Lekë

Share

30 libra të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

Vargjet lindin kur kujtimet jetojnë!

Hapat që hedhim në çdo çast, lënë pas një jehonë...Jehonën do të donim të rikthehej vazhdimisht tek ne në emër të së mirës e njerëzores...Në rrugën e gjithsecilit ka çaste që nuk harrohen kurrë... Jehona e mikes sonë Zhuljeta, tingëlloi në vargje... Është ajo zile e magjishme e ndjenjës, që të shndrron si papritur në thurrës vargjesh, edhe pse nuk e kishe menduar aspak këtë shteg të ri në jetë...

Autorja rreket ta kuptojë filozofinë e pikënisjes së rrugës së vargjeve të saj dhe e pyet veten : “ Si nuk lindën më parë?”

Por pa e ditur që t’i japë një shpjegim kësaj ndodhie, sepse është një ëndërr e gjatë, që nanuriste në shpirt, dhe që një ditë u zgjua për të dalë jashtë me një tingull të fortë poetik.

Nuk e di pse lindin vargjet e mia / si një shteg i blertë në pyllin e dendur për të ardhur tek ju / si një dritë e hollë mes fëshfërimës së gjetheve në ditët e mia / të trokas lehtas e vend të bëj sa do pak.

Vargjet herë mishërohen në prologë, që profetizojnë kujtime të ruajtura me kujdes në memorien e saj, herë në epilogë që duket sikur u japin fund kujtimeve, që në fakt janë vetëm fillimi i një fundi të pashkruar. Fund kemi gjithmonë atëherë kur pas pikës nuk ka më jehonë. Asgjë nuk lind nga hiçi edhe vargjet e kërkojnë tharmin e vet, çdo produkt e ka një zanafillë, qoftë edhe të papërfillshme, por e ka një të tillë. Ngjizja më pas është vetëm çështje kohe. Guxim. Trampolinë. Pritje. E ne miqve të saj na u desh të prisnim vite, që të merrnim në dorë këtë libër ditar të Zhulit, që si një apel ritual i ditëve tona të punës, na fton ta gjejmë emrin tonë të fshehur, siç thotë Dritëroi i madh…në ndonjë varg apo ndonjë shkronjë...

“...Ditarin fletë - fletë çdo ditë e kam bërë”...thotë autorja. Të jemi të sigurt se jemi të gjithë aty, pa përjashtim në apelet e panumërt të jetës, por duhet pak kohë që apelet t’i thithim dhe më pas jehonave të miqve, jehona t’u bashkojmë. Ditari ka data, vite, shënime, detyra. Askush nuk e di se si lindi jehona e parë tek Zhuli, as nuk do ta mësonim ndonjëherë, nëse ditari i saj s’do të përcillej ditëve dhe netëve në shpirtin e saj, që përmes kujtimeve mori formën e një pëllumbi të bardhë që fluturoi. U ul mbi supet tona, një nga një tek secili, recitoi vargjet e kujtimit, e lëshoi pjalmin pllenues dhe i lidhi frutat e kujtimeve, që në këtë ditë u bashkuan në një të vetme. Harresa do të kishte bujtur plot naze, por është vetëm një dëshirë e mbetur pezull, për fatin tonë.

Do të desha një ditë / të isha e harruar nga të gjithë...

Engjëlli ynë mbrojtës filloi vallëzimin e tij të gjatë, që ndoshta nuk do të ndalet kurrë, sepse të gjata janë vitet, të shumta kujtimet, të shumtë miqtë me të cilët ka ndarë momente të çmuara jete. Vallja e vargjeve vjen tek ne, me shkathtësi të çuditshme e plot delikatesë, femërore, dashurore e prindërore...Poezia e saj eshtë shqipërore, si vargjet më të bukura popullore, ka mushtin e serenatave të bukura korçare, është muza e vërtetë për çdo gëzim apo dhimbje...

Si mësuese e mrekullueshme Zhuli la gjurmë aq të veçanta te brezat e nxënësve që edukoi me aq pasion e përkushtim...Po vetë nxënësit, sa të befasuar do të ndihen nga vargjet, që lindën dikur pranë trokitjeve të gishtave të tyre e të saj, mbi dërrasën e zezë…

Dy gjëra mbahen mend në punën tonë si mësues : dita e parë kur nxënësi hyn në klasë, ditë tepër optimiste dhe e ëmbël dhe dita e fundit kur del prej saj, e dhimbshme, për të mos hyrë më kurrë. Memoria tashmë ngrihet në katror dhe johonat po ashtu.

Të tjera janë jehonat e klasave mes nxënësve, sepse në to ka gjithmonë shpirt rinor, të etur për hapësira dhe shtigje dhe që në breza mbetet gjithmonë rinor. Mes tyre mbetemi vetëm të rinj në shpirt dhe në moshë. Privilegj që pak e kanë. Jehona troket edhe në mendjet e tyre, në hapat e rëndë, apo të lehtë në klasë, kur Zhuli komunikonte me ta, shpirtin e letërsisë, të poetëve dhe shkrimtarëve që endet sërish në to, jo më si fantazma e frikshme që shfaqen errësirave, por plot dritë. Mësuese Zhuli për ta ishte ndërlidhësja mes shpirtrave dhe jehonave të lashtësisë dhe kohëve moderne, e palodhur dhe gjithmonë e qeshur tek shëtiste rreshtave të bankove, gjithmonë në këmbë, gjithmonë pa përtim. Lodhja në këtë spektakël ndërveprimesh nuk ka kuptim. Lodhja tash mban emrin vargje, mban emrin kujtim.

E kisha një klasë Ajo nuk ishte si të tjerat...

Më vjen edhe sot një nga një t'i thërras:

Edoja, Albana, Ornela, Rafaela

kur derën e klasës të hap...

Mirë se erdhe Mësuese Zhuli, tashmë me tingullin tënd original si poete...

Arjan Th. Kallço

Të dhëna

Lloji i botimitHard Copy
Fletët119
ISBN978992819343575
Titulli origjinalADA
RedaktoriAngjelina Xharra
V. Bot2015
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
Grupmoshambi 18 vjeç
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
Përmasat13.5x20.5