Bota pa stinë Shiko më të madhe

Bota pa stinë

Zhuljeta Grabocka Çina ZHG0001

Libër i ri

Përshkrim i shkurtër

Poezia, që i jep titullin vëllimit “Bota pa stinë”, jo vetëm i jep këto tipare, por është njëherazi një gjetje poetike, që i fton dashamirësit e poezisë të gjejnë dilemat e kohës. Pse “Kjo botë u ftoh”? Aktualizimi i ndjesive është prurja që të mban gozhduar në vargje. “Përditë thyhet diçka / brenda meje si të ishte kristal"

Më shumë detaje

50 Artikuj

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

ADA
Fletët114
ISBN9789928204370

700 Lekë

Share

30 libra të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

Poezi që pulson në kohë

Në harkun kohor të një viti, Zhuljeta Grabocka vjen me një botim të ri “Bota pa stinë”. Vëllimi i parë “Ditari i gushtit” me një simbolikë shumë dimensionale nëpër pergamenët e shpirtit e la të hapur rrugëtimin nëpër stinë. Kësaj here, jo si një ditar, por si ravgim në impluset e shpirtit të njeriut mesdhetar. Pjesë e të cilit është edhe vendi i saj. Ajo është e shqetësuar për ndjesitë solare të këtij njeriu, në truallin ku përjetësisht janë gërshetuar kulturat e kufijtë, u mëshon mesazheve “të vrasë marrdhjen e botës, e / të gjejë rilindjen e shpirtit”. Poetja e njeh mirë “peshën e vargut”, dhe do të bëhet “këmbana e botës në kremtet e saj”.

Me këtë projekt, ajo i vë ndjesitë para vorbullës së pandalur të zhvillimit teknologjik, për të ndjekur lojën e mendimit me “delete”, jo se i mungon prekja e letrës, por se “dhimbjen e shpirtit në zhgaravitje se lë dot”. Zhuljeta është e ndërgjegjshme se “vonesa vret, ankthi i pritjes / përtyp fillin e skajeve ku përpëlitet gjithçka / drejt një ëndrre të madhe”. Me bindjen se zhvillimet bashkëkohore duhet të rruajnë balancat e njeriut me natyrën, ta rrisin shpirtërisht duke e socializuar në kuptimin më të mirë të fjalës. Të formëzuar me dashuri, mirësi e çiltërsi. Prej këtej krejt natyrshëm përvijohen veçoritë e poezisë së saj. Ngrohtësisë së vargut i shtohet thellësia filozofike, thjeshtësisë së shprehjes, nënteksti e dimensioni më i gjërë i impulseve shpirtërore, ku rastësia universializohet për t’u përjetuar në botën e poezisë.

Poezia, që i jep titullin vëllimit “Bota pa stinë”, jo vetëm i jep këto tipare, por është njëherazi një gjetje poetike, që i fton dashamirësit e poezisë të gjejnë dilemat e kohës. Pse “Kjo botë u ftoh”? Aktualizimi i ndjesive është prurja që të mban gozhduar në vargje. “Përditë thyhet diçka / brenda meje si të ishte kristal”.

Kjo është diafragma e frymëmarrjes së saj poetike. Mbi të nuk mund të hedhë ‘’Valle” vdekja. Ajo, “ Është ciklike / ka fytyrën e ndërrimit të stinëve”. Poeten e vret “Dhimbja e bardhë, e vdekjeve të ditëve”. Vargjet e saj të ftojnë të flakësh vanitetin, tjetërsimin e ftohjen shpirtërore, për të përqafuar dashurinë e mirësinë mes njerëzve.

Hedhja e penelatave bardhë zi, krijon hapësirë për kontrase të fuqishme. Pranëvëniet dhe imazhet i japin rritmin poezive. Në poezinë... “më prisni”, ajo premton “Aty do të rikthehem... / si Moisiu të kërkoj prushin / në ferrën e shkrumbuar”, sepse ka bërë një kontratë të përhershme me poezinë edhe me lexuesin “gjithnjë ka një nisje /aty ku fjalët e shenjta bashkohen/ nëpër Dhiata si besëlidhje e re”.

Sprovën e rilindjes së shpirti, Zhuljeta e lidh me një aureolë hyjnore. Katarsin e njeriut të sotëm e formulon si një kërkese të thjeshtë njerëzore “Nuk i kërkoj asgjë njeriu. /Mundeni fare pak, si kujdesi i tjetrit, /Një gotë ujë, /a një mirëmëngjesi”. Mesazhi kulmon qartë: “Të hapen portat e shpirtit /si ditën e ringjalljes së Krishtit”. Dhe poetja ka mundur të hapë portat e shpirtit, ndoshta aty ku vetëm Zoti sheh e të gjejë çelësin “vjen kopshtari, leva e Arkimedit, rrotullimi i botës, / dritë e diell, në fletë e degë, ditë e re gjetherin”. Pra “Kopshti” poezia nga janë marrë këto vargje është një himn për njeriun e sotëm, është thirrja e poetes për t’ju drejtuar lexuesit bashkëkohor, se braktisjet edhe krijimi djerrinave materiale janë së pari braktisje shpirtërore.

Uni i saj lirik është i veshur me ngjyrat e natyrës, që nga ndjesitë më të holla deri në kreshedo: “Fati ynë është i shkruar / Sprovë në qiell të hapur /Rilindu! Ky temperament solar vështron në skutat më të errta të shpirtit, si tek poezia “Gjethet e rrëzuara” “Këto gjethe kuqërimverdhë / diellin e verës mbajnë mëri, / mbetur kujtimi i luleve erëmirë / thellë në të mjerin shpirtin tim”, sepse për Zhuljetën “Endrrat rrjedhin si pikat e lotit, / Kanë peshën e bardhësive të qiellit”. Tonaliteti i poezisë së saj ndërtohet mbi mirësinë e shpirtit të njeriut iluminues, që di të falë dashuri e të realizojë misionin e tij. “Rrugën e rrezeve diellore marrim, /botën për ta bërë më të mirë” dhe nënvizon “për vete jo, por për fëmijët”si një dedalusian i kohëve moderne. Kjo është bërthama poetike, që ripërtërihet e pasurohet nga poezia në poezi me një dimension reflektues dhe kritikues. Uni i saj lirik i shpreh dilemat në hapësirë e kohë në raport me mbylljen në botën e vogël të egos.

Tek poezia “MOS” …“Mos e lër kohën të na vrasë,/ e dashur, bujarisht ajo rrjedh!” reflektohet pa tepërim misioni fisnikërues i poezisë. Gjerësia tematike e krijimtarisë së saj jep, jo vetëm vlerën, por edhe mbivlerën në përditshërinë ku përthyhet e humbet njerëzorja. Tek poezia “E ka emrin grua” përcillet idea se një shoqëri e emancipuar vjen njëherazi dhe nga burra të emancipuar. Ajo e portretizon gruan si qenie në definacionin krijues. “Bota prej teje, ka fytyrën e dashurisë /Prej gjaku e qumështi mëmësuar”, dhe e vlerëson në funksionin e lidërshipit shpirtëror në familje si “sovrani” i vërtetë i saj , “Për bashkëshortin je e adhuruar./ E mbetesh mbretëreshë / E zgjedhur perëndie”. E ndërgjegjshme për delikatesën e thyeshmërinë e këtyre marrëdhënieve në disa poezi jepen dramat dhe frakturat që shkaktojnë humbja e dashurisë si ekuilibri i çdo lidhjeje. Poezitë “Në rrugë” , “Vendimi”, “E vogla botë” krijojnë oponencë brenda vëllimit me vargjet e poezive “Unaza”, “Gjerdani” “ Kopshtari i Babilonisë” …kopshtari im, Babilonisë është pak , / të them i ngjan, se lulet e shpirtit , / kur t’i dhuron jeta, le të vdesësh sakaq.

Ky lloj këndvështrimi i lejon lexuesit të projektojë, edhe ai, dhjetra e dhjetra drama, që luhen në përditshmërinë e jetës me filozofinë, se jeta duhet të vazhdojë. Këtë emocion e japin edhe vargjet ku e përkohshmja dhe e përjetshmja shkrihen me thjeshtësi deri në madhështi. Si tek poezia “Hëna e yjet”. Nga kufijtë e përtej botës,/ më vjen e vetëm s’më lë... / Si një fëmijë, që kurrë s’u rrita /vrapin mbaj në prehërin tënd”. Këto poezi, jo vetëm thellojnë aftësinë e saj për të shprehur brishtësinë shpirtit, por zbërthejnë thelbin e njeriut. Ato janë “thembra e Akilit” për ta mbrojtur atë në këtë “botë pa stinë”, nga lodhjet e kotësitë e jetës së përditshme.

Vëllimi ka një strukturë ciklike. Arkitektura e saj mbështet motive me thellësi në kohë. Cikli kushtuar Voskopojës vjen si memorje artistike në funksion të idesë themelore të vëllimit “Bota pa stinë”. Vargu “Voskopoja hënë e plotë, pa yje në natën e gjatë”, të sjell ndërmend lulëzimin e saj. Çfarë do të ishim ne pa shkatërrimin e asaj? Një Rilindje ballkanike. Pësimi historik duket, se ende nuk është kthyer në mësim. Poezia “Këmbanarët” është një thirrje për të rruajtur ato vlera të indentitetin kulturor që po shkërmoqen dita ditës. “Voskopoja si Troja ra” shprehet poetja e bindur, se ai truall ishte shembulli i bashkejetesës së etnive edhe gjuhëve të tyre, por që gjuha e flakëve tronditi fort mundin e mendimtarëve. Aktuale vijnë dhe poezitë që shoqërojnë mbylljen e vëllimit. Ato të kujtojnë vargje të vjetra popullore. Aty përjetohet drama e njeriut në kërkim të mundësive të reja, “mbetëm nëpër vah, nëpër lumë,/ tretur rrugë mbi rrugë”. Vargu e figuracioni rrjedhin natyrshëm, Zhuljeta preferon në poezinë e saj konçizitetin e shprehjes e bindur se kohës së internetit dhe dendësisë informative, duhet t’i përgjigjesh me impluse ndjesish të qarta e mbresëlënëse. Vargu i saj përjetohet si tingëllimë e amanetit dhe urtësisë njerëzore në këtë botë ku duhet jetuar çdo stinë me begatinë e saj shpirtërore.

Mimoza Qako Çina

Të dhëna

Lloji i botimitHard Copy
Fletët114
ISBN9789928204370
Titulli origjinalADA
RedaktoriMimoza Qako Çina
V. Bot2015
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
Grupmoshambi 18 vjeç
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
Përmasat13.5 X 20.5