Gjumi mbi borë Shiko më të madhe

Gjumi mbi bore

Ridvan Dibra BO0012

Libër i ri

Përshkrim i shkurtër

I ardhur me zërin e një mësuesi të ri, në një fshat ku bora ndërton kurthet më të mëdha se njerëzit, rrëfimtari Dibra aludon gjithë maskën e sistemit komunist, që shfaqej ashtu, si një borë, pa treguar aspak kurthet ndaj njeriut – sidomos të njeriut që kërkon të ëndërrojë, që kërkon të dashurojë, që kërkon të jetojë, që dëshiron të ecë

Më shumë detaje

105 Artikuj

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Onufri
ISBN9928-4354-5-3

700 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 libra të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

Shënime për romanin “Gjumi mbi borë” nga Agim Baçi

Të dallosh të bardhën mbi të zezë, apo të zezën mbi të bardhë, është thjesht një lojë fëmijësh, madje shpesh edhe e parëndësishme. Por të dallosh të bardhën mbi të bardhë e të zezën mbi të zezë, është një hap drejt njeriut – pra të krahasosh jetën me jetën dhe vdekjen me vdekjen. Sepse vetëm ashtu, të krahasuar mes vetes Jeta dhe Vdekja nisin të marrin kuptim. Dhe Ridvan Dibra e ka parabolën e tij rrëfimtare nën atë që fshihet pas asaj që duket sikur nuk lëviz, sikur është e paqtë. Eshtë e bardhë- është borë- por që ka pas vetes një mal me të fshehta, shpeshehrë aspak të këndshme për njeriun. Ndaj të ndalesh do të thotë të jesh në Gjumë!

“Kurrë mos të flesh mbi borë! A more vesh? Kurrë! Për asnjë shkak, për asnjë arsye. Edhe nëse ndihesh i lodhun për vdekje e gjymtyrët nuk të binden. Edhe nëse vullneti të mpaket e të tretet si uji i borës. Edhe nëse energjitë të bjerren njena mbas tjetrës.... Edhe nëse bora bahet e dashtun prosi prhni i nanës. A si gjoksi i të dashtunës....

Zana e Malit?

Sirenat?

Këngët e tyne?

Asgja nuk janë në krahasim me joshjen e borës së bardhë. Lojna fëmijësh. Sirenave edhe u gjendet dermani. Mjafton me i mbyllë veshët me dyllë a pambuk. Siç bante dikur i urti Odise. Na beso: të gjitha joshjeve, nëse do t’u shmangesh, u gjendet dermani. Por jo asaj të borës së bardhë. Gjumit mbi të. Qoftë edhe për pak çaste....”.(Ridvan Dibra, “Gjumi mbi borë”, f 8)

I ardhur me zërin e një mësuesi të ri, në një fshat ku bora ndërton kurthet më të mëdha se njerëzit, rrëfimtari Dibra aludon gjithë maskën e sistemit komunist, që shfaqej ashtu, si një borë, pa treguar aspak kurthet ndaj njeriut – sidomos të njeriut që kërkon të ëndërrojë, që kërkon të dashurojë, që kërkon të jetojë, që dëshiron të ecë.

Që në hapat e parë mësuesi i ri paralajmërohet se “paraardhësi i tij vdiq nga gjumi që e zuri nën borë”! Ishte po mësues letërsie si ai. Dhe paralajmërimi është thuajse i të gjithëve në fshatin që quhet ashtu siç është “Fshat”. Duket si një mbivendosje e asaj që shohim, e që sërish nuk e dallojmë. Sepse në Fshat nuk dihet më nëse ka fshat. Është koha kur bagëtitë dhe tokën e administron shteti e ku fshatari nuk është më fshatar, por thjesht një proletar që jeton jashtë qytetit –as qytetar e as fshatar – as vetvetja e as dikush tjetër.

Rrëfimi vjen thuajse si një monolog, por ku çuditërisht ja dëgjojmë zërin të zotit të monologut. Eshtë thuajse intim – por një intimitet që ka nevojë të dalë nga pragu, të jetojë me të tjerët. Eshtë zëri i njeriut që kërkon një shteg. Dhe shtegun çuditërisht ja kërcënon ajo që mund të quhet lozonjare, që mund ta tërheqë. Por jo, sepse bora ka kurthet e saj. “Partia fal!”-, thotë sekretari i partisë. Por askush nuk ka dëgjuar falje. Veçse mallkime dhe ndëshkime. Dhe bora të tërheq, “por duhet t’i ruhesh gjumit dhe rreshkës”, thonë fshatarët. Rreshka është orteku i borës. Por ai vjen me zhurmë, çka do të thotë se ndonjëherë je i paralajmëruar. Por gjumi – ah gjumi- ai është armiku i ngadalshëm kur je i vetëm në borë. E ky gjumë vjen pikërisht në çastet kur ëndërron, kur futesh në mendime, kur mendon për dashurinë – një “borë diktaturë”, që vret pikërisht atë që kërkon të futet në lëkurën e njeriut e t’i jepet ëndrrës dhe dashurisë.

Rrëfimi i Dibrës vjen ashtu rrëmbyeshëm, i ngopur me burimin e gjuhës ku dykuptimësia rritet natyrshëm, herë me përshkrime naive e herë me emra që bartin histori. E megjithatë, gjithçka rrethohet nga bora që tremb dhe emrat që përshkruajnë më mirë se kushdo tjetër atë gjithçka që rrethon. Veçse te “Kepi i Shpresës” e keqja duket se humbet fuqitë. Dhe për njeriun që dashuron, që guxon, që lexon ka gjithnjë nga një “Kep Shprese” për t’iu shmangur më të keqes që mund të ndodhë.

Autoironia kthehet në trenin e fjalëve që përshkruajnë rrëfimin, ku një herë i duhet të gjejë vendin për të qetësuar vetveten nga ajo që njeriu e ka të tepërt, e herë në dilemën nëse mund të ngrohet duke djegur 50 letrat e dashurisë. Miqtë nuk janë hiç vetëm vetvetja, por përfaqasojnë qytetet e tyre, si të ishin pikturë vendlindje, pa identitet, por me vulë qytetesh. Ndërkohë që lexuesi është gjithnjë pranë, teksa ai i drejtohet, duke lënë të kuptohet dëshirën për t’i takuar ata që mund të jenë lexonjës...

Më pas, “au bora”, e fut në hullinë e vet, në çastet kur ai noton mes dashurisë dhe dhe poezive - dy joshje të pashmangshme. E të dyja janë përgjumje përballë gjithçkaje, sepse bota nis e bëhet më e vogël përpara tyre. Deri sa një dorë njeriu tjetër nevojitet që ti të kuptosh mundësinë se mund të jetosh. Por më parë, bora ka nevojë të zbardhet nga disa duar që zbojnë errësirën e saj të gjumit....

“Kur zgjohem – më mirë e më fortë se kurrë- veten e gjej të shtrirë pranë një oxhaku të madh, në të cilin digjen e kërcasin do kërcunj të trashë. Dy fshatarë që kanë bërë roje vazhdimisht pranë meje, duke zëvendësuar me rradhë njëri-tjetrin, më thonë se kam fjetur njëzet e katër orë rresht, pa u zgjuar qoftë edhe një herë të vetme. Më kanë gjetur rastësisht teksa ktheheshin prej një morti. Aty te Kepi i Shpresës, të ngrirë krejt. Më kanë prekur pulsin e janë bindur se jam gjallë. Edjhe pse ai, domethënë pulsi, rrithte më lehtë se i zogut. Më kanë ngritur e më kanë mbajtur mbi shpinë. Me radhë. Herë njëri e herë tjetri. Deri te e para shpi e Fshatit.....

Tashti që, fatmirësisht, kam shpëtuar gjallë nga Gjumi Mbi Borë, domethënë nga ngrirja e plotë e vdekja, e ndjej se këtu duhet të përfundojë shënimet dhe rrëfimet e mia...”. (Ridvan Dibra, “Gjumi mbi borë”, f. 139) (Mapo, 23 korrik 2016)

Thanë  për autorin

Tekstet e kësaj përzgjedhjeje, intermexo aktive në rrugën krijuese të një autori të konfirmuar, janë të shkurtër, nga një deri në tetë faqe. Të rrjedhshëm dhe të drejtpërdrejtë. Shumëtrajtësh: diku teksti merr formën e një aksiome morale, diku të një parabole të rrasët, tjetërkund të një dialogu absurdizues, e diku tjetër të një rrëfimi të dyfishtë asimetrik, procedim me të cilin Ridvan Dibra na ka befasuar para- dokohësh me librin “Sesilja sexonic”. Si fill organizues për tërësinë e vëllimit shërben parimi i lexueshmërisë, ngushtësisht i lidhur me dëshirën e autorit për të qenë i kuptueshëm dhe i kuptuar. Në këtë pikë, jemi dakord: në letërsinë e sotme, postmodernizmi po shfaq shënja urtësimi; simethënë, po standardizohet, po priret kah format funksionuese, në të mirë të vet dhe të lexuesit.

Ardian Marashi

 

“Ridvan Dibra sjell në prozën shqipe, për herë të parë të asimiluar plotësisht, përvojën e prozës moderne të tipit të Kafkës e Kamysë, të pasuruar me elemente të prozës postmoderne si citati e pastishi.  Beletrist i lindur, ai është zotërues i rrallë i teknikës së shkrimit post- modern...”

Agim Vinca

 

“…Dibra ka një dorëshkrim dhe mjeshtëri prozatori nga më brilantet në letrat shqipe”.

Shkëlzen Maliqi

 

“Parabolat e Ridvan Dibrës, për nga sintetizimi dhe vrullimi i imagji- natës, të kujtojnë parabolat e Kafkës apo skicat - enigma të Apdajkut. Dhe këtë ngjashmëri e përmendim me kuptimin e mirë që kanë paralelizmat në fushën e letrave, si ngjashmëri tipologjike, lidhur me një dukuri të re në letërsinë tonë”.

Bashkim Shehu

 

“Romanet dhe vëllimet me tregime, novela e parabola i kanë dhënë shkrimtarit Ridvan Dibra një vend të rëndësishëm në këtë zhanër letrar të shqipes… Lexuesi ka kënaqësinë që takon po atë prozator të talentuar, me mundësi të dallu- eshme epike, por njëherit edhe të ndryshëm, të përtërirë sidomos në rrafsh të idesë dhe teknikës narrative…”.

Ali Aliu

Të dhëna

Faqe144
ISBN9928-4354-5-3
Titulli origjinalOnufri
Viti i Botimit2016
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri