I ri Jetë paralele - Vell. 2 Shiko më të madhe

Jete paralele - Vell. 2

Plutarku A-003729

Libër i ri

8 Artikuj

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

PLEJAD
ISBN9789928183484

1 500 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 libra të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

H Y R J A

Plutarku, biografi dhe kronikani i parë modern i Mark Antony-t, Cesar-it, Pericles-it dhe Brutus-it, është jo më pak real për ne sesa temat mitike të tij. Faktet e njohura të jetës së tij janë të pakta, por janë të mjaftueshme për të dhënë një paraqitje të shkurtër dhe të larmishme të Plutarkut. Ai ka lindur në Chæronea, një qytet i vogël në Bœotia “i shquar për asgjë”, shënon një nga përkthyesit e tij, “përveçse për bindjen dhe servilizmin e banorëve të tij”. Madje edhe viti i lindjes së tij është i pasigurtë, disa e caktojnë afërsisht nga mesi i sundimit të Claudius-it, të tjerë rreth fundit, pra afërsisht në vitin 45 apo 50 pas Krishtit. Dimë se ai ishte Grek dhe kishte një arsimim tradicional Grek. Dimë edhe se ai studionte filozofi në Athinë dhe se mësues kishte Ammonius-in, në periudhën kur Neroni bëri sulmet e befasishme në Greqi në vitin e dymbëdhjetë të sundimit të Perandorit, viti 66 pas Krishtit. Gjithashtu dimë se Plutarku ishte nga një familje e pasur. Stërgjyshërit e tij kishin qenë magjistratë dhe kishin qenë relativisht jetëgjatë. Plutarku kishte njohur stërgjyshin e tij, Nicarchus, për të cilin lexojmë në Jetën e Marc Antony-t se ishte fshikulluar nga ushtarët Romakë ndërkohë që e detyronin të barte grurë për në bregdet. Plutarku kishte arritur të njihte edhe gjyshin e tij, Lamprias, i famshëm për gojtarinë e tij të nxitur nga vera dhe gjithashtu bën një përshkrim të gjallë në këtë rrëfim, burim i një historie rreth gostive të ekzagjeruara në mënyrë fantastike që Antony dhe Cleopatra shtronin për rrethin e miqve të tyre tejet tolerues, të cilët e quanin veten “Banorët e Paimitueshëm”.

Siç thuhet, jeta në shtëpi e Plutarkut ishte e qetë, megjithëse shpesh e errësuar nga tragjedia e vdekjes së hershme, një rrezik i zakonshëm i asaj kohe. Ai kishte të paktën pesë fëmijë – katër djem dhe një vajzë – nga gruaja e tij Timoxena. Për të bijën e tij, e cila kishte emrin e të ëmës, Plutarku shkruante: “Kur ajo ishte shumë e vogël, shpesh do ta luste mëndeshën e saj që t`i jepte gji jo vetëm fëmijëve të tjerë, por edhe kukllave dhe kukllave bebe të saj, të cilat konsideroheshin si vartësit e saj dhe që ishin nën mbrojtjen e saj”. Ajo vdiq në moshë të njomë dhe Plutarku humbi edhe dy nga djemtë shumë shpejt. Përgjigja e Plutarkut për vdekjen e bijës së tij shpesh citohet nga studiuesit si model i një dinjiteti të qetë gjatë zisë. Paraqitja e tyre është një ese në formën e një letre të titulluar Ngushëllimi për Gruan e Tij, të cilën Plutarku ia shkruan Timoxena-s, duke e këshilluar që të pikëllohet “brenda kufijve të arsyeshëm”. “Se deri ku shkon humbja jonë, unë e di dhe e vlerësoj vetë. Por nëse e shoh pikëllimin tënd të jashtëzakonshëm, atëherë shqetësimi im për ty do të jetë më i madh sesa ai i humbjes sonë. Unë nuk jam ‘gur apo dru’ (i fortë) si ty, o gruaja ime në përkujdesin e fëmijëve tanë të shumtë, çka mund ta dëshmojë secili prej tyre që e kemi rritur vetë në shtëpi”. Në vend që ta linin veten që të shkatërroheshin nga humbja, ata mundën që në mënyrë më të dobishme të kujtojnë fatin e mirë të tyre, ndonëse të shkurtër: “Përse duhet të harrojmë arsyet për të cilat shpesh u jemi drejtuar të tjerëve dhe ta shikojmë dhimbjen tonë të tanishme si diçka harruese dhe fshirëse të gëzimeve tona të mëparshme?”

Plutarku ishte një njeri i ditur sipas standarteve të kohës së tij dhe të epokës së tij. Në rininë e tij ai kishte udhëtuar në Egjipt – i cili ishte një stad në Turin e Madh Klasik – gjithashtu në Greqi dhe në Azinë e Vogël. Sigurisht që kishte vizituar Italinë – “për çështje shtetërore” – tregon ai në Jetën e Demosthenes-it, por nuk arriti të mësojë Latinishten deri në moshë të shkuar, “duke mos pasur kohë të lirë ndërkohë që isha në Romë dhe në vise të tjera të Italisë për tu ushtruar në gjuhën Latine”. Ai i jepte leksionet publike në filozofi në gjuhën Greke. Pas qëndrimit të tij në Itali - sërish datat e sakta u kanë shpëtuar historianëve - Plutarku u tërhoq në Chæronea për të shkruajtur “Jetët”. “Unë vetë jetoj në një qytet të vogël”. ka shkruajtur ai në mënyrë të shkëlqyer, “dhe zgjodha të jetoja atje nga frika se mos qyteti bëhej edhe më i vogël”. Pra, një pjestar besnik dhe me shpirt popullor i një komuniteti për popullsinë e të cilit ai refuzoi “të bëhej edhe më i vogël nga largimi madje edhe i një personi të vetëm” dhe ku shërbeu për një periudhë kohe si antar komisioni për ujrat e zeza dhe për ndërtimet publike,

Nuk kam dyshim se qytetarët e Chæronea-s shpesh buzëqeshin kur më shohin se merrem me të tilla detyra si këto. Në të tilla raste, në përgjithësi unë kujtoj atë që thuhej për Antisthenes-in, kur ai po sillte nga tregu një peshk të thatë që e mbante në dorë dhe kur disa që po e vështronin shprehën habinë e tyre, ai u tha, “Këtë peshk që po mbaj, e kam për vete”. Përkundrazi, unë nga ana ime, kur më shpotitin sepse mat tjegullat, apo për llogaritjen e sasisë së gurëve apo të llaçit, përgjigjem se unë nuk e bëj këtë për veten time, por e bëj për vendin tim. Për arsye se në të gjitha gjërat e kësaj natyre, përfitimi publik e largon turpërimin dhe sa më i ulët është posti zyrtar që ju mund të keni, aq më i madh është nderimi që mund t`i bëni popullit.

Puna e Plutarkut si magjistrat ishte “për të sheshuar armiqësitë personale”, për të pajtuar, për të qenë gjithmonë i gatshëm për banorët e qytetit, për ta mbajtur hapur shtëpinë e tij “si një vend që të ishte si strehë për ata që kërkonin drejtësi”. Ai gjithashtu kishte qenë prift gjatë jetës së tij në Delphi dhe ishte qytetar nderi i Athinës. Sipas Arthur Hugh Clough, poet i epokës Viktoriane, “Plutarku ka rrojtur shumë gjatë”. Data e saktë e vdekjes së tij, ashtu si ajo e lindjes së tij, nuk dihet, por sipas gjasave ka qenë në fillim të sundimit të perandorit Hadrian. Ai vdiq përpara dy djemve të tij, Plutarku dhe Lamprius. Lamprius-i ishte filozof dhe la një listë të shkrimeve të të atit dhe që u zhdukën që në atë kohë dhe këtë ne duhet ta shohim, ashtu si thotë Dryden-i, me të njejtat emocione që një tregtar duhet të ndjejë kur shqyrton faturën e një ngarkese mallrash pasi ka humbur anijen e tij.

Të dhëna

Lloji i botimitMe kapak te holle
Faqe386
ISBN9789928183484
Viti i Botimit2019
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
PërkthyesiIlirjana Angoni