Reduced price! Tutori View larger

Tutori

Mimoza Ahmeti UE0197

New product

900 Items

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

UET Press & MAPO Editions
ISBN978-9928-213-22-8
Viti i botimit2018

800 Lekë

-20%

1 000 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 other products in the same category:

More info

Mimoza Ahmeti nga Kruja është një nga "fëmijët terribël" të viteve nëntëdhjetë, që ia ka dalë të zmadhojë horizontet dhe eksplorojë mundësitë e ofruara nga shqisimet e saj.

Duke e tërhequr zvarrë kombin e vet, në mënyrën e saj idiosinkratike, në rrugën plot gropa drejt Europës, ajo ia ka mundur në vite të provokojë shoqërinë e varfër dhe të lodhur shqiptare, në më shumë reflektim të nevojshëm, gjë e cila, me kohë, mund të çojë tek vlera të reja dhe më të sinqerta humane.

Pas dy volumeve me vargje të saj, në fond të viteve tetëdhjetë, ishte përmbledhja me 53 poema, De-lirium, Tiranë, 1994, që rroku vëmendjen e publikut. Shprehja e saj e çiltër, me vështrimin e gjerë të një dëshire feminine dhe indulgjenca në kënaqësitë sensuale, si dhe fluiditeti kristalin i gjuhës së saj, e kanë bërë atë një autore moderne klasike.

Dallimi tradicional mashkull femër i vargjeve duket se shpërbëhet nga forca pasionante e penës së saj." Robert Elsie

SHËNIM PËR KËTË ROMAN TË RI

Nga Aurel Plasari

S’di në mund t’u ndodhë edhe lexuesve të tjerë siç më ndodhi mua, që nuk e lëshova nga dora romanin e ri të Mimoza Ahmetit deri në mëngjes kur e kisha përfunduar. Qasja ndaj tij varet nga çfarë lexuesi pret, ashtu si pritja e tij varet prej asaj me çfarë ai është mësuar. Ndërsa mendoj që Tutori nuk do të jetë roman që lexohet si të lehtët.

Ashtu si te romani i parë i autores, Arkitrau (në italisht: Persone belle), ose tek i dyti, Gruaja halucinante (në gjermanisht: Milchkuss), dhe te Tutori ndeshesh me iluzionin e asaj që quhet prozë autoreferenciale. Pra mund të gënjehesh. Sepse në të tri romanet e autores operohet me një skenar të menduar mirë fantastik dhe/ose parodik. Parodizimi i rrëfimit romantik është i pari. Si e zbritur nga lartësitë e antiromanit, autorja rezulton e vetëdijshme që rrëfimi i saj nuk qenkësh veçse “antirrëfim”. Dhe në një antirrëfim të tillë tekstet funksionojnë si lojë ikjeje: nga realja në fiksion dhe, vetëkuptohet, nga fiksioni te realja. Si për ta përforcuar edhe më sugjestionin e njëkohësisë, edhe zhvendosja nga fiksioni në fiksion ndodh rëndom në tekstet e autores.

Për ta shpënë në skaj këtë antirrëfim, edhe në këtë roman të ri Mimoza Ahmeti as që ka marrë mundimin të lypë ndihmë nga paralajmërimi tanimë tinëzar “Çdo ngjashmëri me ngjarje ose persona realë është e rastit”. Ai farë paralajmërimi do të kumbonte si gënjeshtra më e padobishme prej shkrimtarësh si ajo, të cilët shkruajnë me bindjen se, kush ka frikë të përdorë “unin” në shkrimet e veta, nuk ka për të qenë kurrë shkrimtar i mirë. Mbas “unit” të pafrikë të shkrimtarit, të tjerat mbeten t’i zbulojë lexuesi, si ai studenti i bukur që sapo vegoi i mahnitur “dantellat e buta të të brendshmeve dhe flokët e avulluar prej gjumit deri në kërthizë” të heroinës së romanit.

Ndërsa formula narrative e romanit Tutori mund të duket e thjeshtë, është substanca epike që e bën tekstin të dendur, të ngjeshur. Pothuaj të dukshme janë orvatjet e shkrimtares për ta redimensionuar strukturën e narracionit si hapësirë dhe për ta bërë atë më të gjerë, më komplekse. Kronika e jetës së provincës, që është atdheu i heroinës së romanit, zor se mund të jepej në mënyrë më autentike se sa me shkartisjen e elementit fantastik me vulgaren e përditshme, të thjeshtësisë me ironinë, të vrazhdësisë me lirizmin etj. Kjo shkartisje, që në sy të parë mund të ngjante si dobësi baroke, e shndërron narrativën e romanit Tutori në matematike.

Në prozë Mimoza Ahmeti ka ngulmuar në stilin e vet të përllogaritur saktësisht si mungesë stili. Kalofilia e autorëve tradicionalë, me të cilën jemi mësuar? Atë shkrimtarja duket ta shijojë si lexim, si kontaminim jo. Ka lexues – ndër ta edhe vetë – që pëlqejnë shkrimtarët flaubertianë, d.m.th. artistët si një Flaubert për të cilët një fjali vlen më shumë se një individ dhe për të cilët stili është problemi i qenësishëm i romanit. Për shkrimtarë si Mimoza Ahmeti vlerësimi funksionon në të kundërt: për ta individi është shumë më i rëndësishëm se çdo fjali. Ky stil “pa stil” i Mimoza Ahmetit prodhon në këtë roman një prozë kërshërore, të natyrës sa narrative, aq edhe eseistike, por në të cilën gjithnjë zotëron ekzistimi – si temë reflektimi – mbi shkrimin.

Do të ketë – doemos që do të ketë! – edhe lexues që do të pëlqejnë ta lexojnë këtë tekst thjesht si roman dashurie. Ose, më sak, si roman mbi dashurinë. Analiza e ndjenjës erotike, në fazat dhe format e saj të ndryshme – nga shpërthimi i shqisave rinore deri te tjetërsimi – kryhet me gjithë natyrshmërinë e mundshme në këtë prozë. Mirëpo nuk mund të mos vihet re që autorja e kupton dashurinë jo si një krizë, sikurse na ka mësuar gjithë ajo barrë letërsie tradicionale, por një permanencë, e cila prodhon tek individi një varg të pafund transformimesh. Je gati të pohosh që shkrimtarja paskësh dashur të shkruajë një roman platonik duke treguar për eksperiencën erotike nëpërmjet një intelektualizimi të ndjenjës.

Romani Tutori mund të mos jetë kryevepër, siç dëshiron çdo autor të jetë vepra e vet, por është padyshim një libër i pazakontë në prozën bashkëkohore. Nëse e mbani mend, Bëhu i bukur! titullohej i pari libër shkrimtares (1986). Qysh atëherë ajo nuk resht së lëvizuri gjithë befasi në atë zonë të idealit të çdo ekzistimi, që për të është e bukura.

*Parathënia e romanit

Data sheet

Lloji i botimitPaper back
pages182
ISBN978-9928-213-22-8
Viti i botimit2018
Vendodhja e botimitTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
Grupmosha e leximitmbi 14 vjeç
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
I ri1