Reduced price! Martin Camaj - Vepra poetike View larger

Martin Camaj - Vepra poetike

Martin Camaj BO0106

New product

Përshkrim i shkurtër

Ky është vëllimi më i plotë rreth krijimtarisë poetike të poetit më modernist të letrave shqipe, i përgatitur me rastin e 25 vjetorit të vdekjes së tij. Botimi shoqërohet me një hyrje të shkruar nga vetë autori, “Rrëmime mbi poezinë” të cilën e gjeni më poshtë

More details

12 Items

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Onufri
ISBN9789928226150

1 540 Lekë

-23%

2 000 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 other products in the same category:

More info

RRËMIME MBI POEZINË*

Në këtë syzim autori i kësaj përmbledhjeje lirikash nuk qëllimon t’i paraqesë vetveten lexuesve. Nga ana tjetër poezia nuk lyp shpjegime, edhe ajo flet për veten në atë formë e strukturë që ka. Ka vetëm një trajtë të qëllueme e të drejtë, një radhitje fjalësh, gjithmonë në gjuhën amtare, përmes së cilës njeriu i paraqitet vetes e rrethit të njerëzve që janë të interesuem. Sikur unë ose çdo autor tjetër të vehej me shpjegue krijimet e veta ashtë rrezik t’i largohet tekstit fillestar e të krijojë diçka të re, pa dashje, të prishë veprën e vet tue e vu në një dritë të rrejshme.

Rrëfej se kam pasë gjithnjë vështirësi, një lloj turpërie të flas për poezinë time apo të lexoj vargje të mia para tjerëve. Kisha gjithnjë përshtypjen se po zbuloj diçka intime a fshehtësi dhe se po humb “fillin e gjetun”, drejtpeshimin e krijimtarisë. Por meqenëse kjo ashtë e para herë që botohet diçka prej meje në vendin tim, e ndjej për detyrë t’i jap disa njoftime lexuesit të këtij libri rreth veprës sime letrare: shikue drejtas, ajo ndahet në periudha, përkatësisht me fazat e jetës së një njeriu. Ndonëse periudhat ndryshojnë nga njena tjetra, ato ndërlidhen nga fije të forta sikur të ishte një libër i vetëm nja 2000 faqesh. S’ka pasë programime në këtë krijimtari prore e përcaktuese nga koha, si ashtë titulli i një cikli lirikash të Giuseppe Ungaretti “Giorno dopo giorno” (Prej dite në tjetrën), poet italian që ka njoftë dhe ai mërgimin.

Le të flasim për poezinë! Si e ndjej unë atë, tërthoras, ndoshta jap edhe ndoj njoftim përmbi artin tim në këtë lamí.

Për shembull, ndër né gjatë periudhës afër gjysmë shekull që e përjetuem u ndeshën dy tema letrare rivalizuese, në një anë, mrekullitë e trimnitë e herojve bashkëkohorë, ndërsa në tjetrën shkriheshin të mbulueme gacat e një zjarrmi të pashueshëm, eshkë e ndezun, nxjerrë nga eshtnat e njerëzve të thyem e të mundun. Të dy përmbajtjet, vetëmburrja e fituesit dhe vuejtjet njerëzore u shfaqën njëkohësisht edhe në lirikë. Specifike në këtë mes ashtë njëkohësia e dy rrymave letrare të papajtueshme njena me tjetrën: trimní / ligështí.

Gjasa tashti ashtë edhe ndër ne të dalë fituese ligështia, ardhja e periudhës së Sofoklit në letërsinë greke, kur poetët nuk do të këndojnë ma për herojtë homerikë, po secili do të flasë për fatin e vet tragjik. Do të flitet për Çentaurat e së kaluemes, për “njerinë-shtazë”, me siguri! Tue u sjellë kah talentat e rij të dheut tonë, uroj që veprat letrare me tematizime të tilla mos të kalojnë kufijtë e drejtpeshimit e masës në art (në teorinë e tragjedisë greke: hybris). Gjithnjë tue mbetë në sferën artistike, del pyetja për poetin e ardhshëm: çka do të ndodhë me Edipin? Mbasi verbon veten, a do të shkojë me sosë në shkreti?

Krijimi i poezisë në liri ka tjetër cilësi përjetimi, shujta, ushqimi tjetër shije dhe gjumi tjetër qetësi e prehje. Në të ardhmen do të kthejë në vend edhe ai druni i Ndré Mjedës, nxjerrë nga malet e fushat shqiptare, me të cilin u ndërtuen anijet që sollën gjithë atë morí shqiptarësh andej deteve (shih Ndre Mjeda: I të buemi nga “Juvenilia”). Me atë dru mund të ndreqen sende të tjera.

Në këtë situatë u gjetën edhe autorët shqiptarë që kërkuen lirinë jashtë, në mënyrë anticipuese. Ne u kapëm për mbamendjen historike të kombit, si i mbytuni për shkumë. S’do qitë mendësh se afër një e tretë e njerëzimit sot janë të ikun a të shpërngulun nga vendlindja. Si përvojë gjindeshin në një shoqni të stërmadhe. Po të flasim për poetin dhe situatat e tij!

Poezia si formë lidhet për gjuhë. Poeti mërgimtar që me të vërtetë don me mbetë ashtu si ashtë, merr frymë përmes gjuhës amtare dhe sheh dita ditës si fjalët e saj shyten në nënvetëdije e harrohen. Gjysma e jetës kalon në kërkimin e fjalës së vet të humbun. Ai bie në një vorbull e sillet rrethas dhe del kur kujtohet se bashkë me të, me poetin, ka mërgue edhe fjala (ky skajim “l’esilio della parola” u trillue nga disa antropologë italianë që merren me kulturë e gjuhë arbëreshe).

Zhdërvillimi i fjalës përnjësohet me proceset e krijimit artistik që mund ta përfytyrojmë si një fryt, pjeshkë, thelbi i së cilës ashtë qenia njerëzore si shqiptar, për shembull. Fjala e tij me kuptime specifike përpiqet me gjuhë të ndryshme dhe mundet me iu zgjanue edhe kuptimi, natyrisht, pa u zvetnue.

Me këto ide të qarta në krye nis e gdhend vargun nga, me kohë e përvojë, shpërthejnë tinguj të rij dhe struktura tekstesh në trajtë të vet të përsosuna. Kësaj udhe shkuen De Rada dhe Schirò që me poezinë e tyne zbuluen thelbin e një miti të ri që përmban fatin tragjik dhe vullnetin me mbetë gjallë si vetje e fis, marrë si tanësi arbëri i arbreshit Nikollë Ketës.

Kuptimi i një lirike të tillë s’ka si të përnjësohet deshtas me nacionalizmin modern apo me ideologjitë moderne dhe as me filozofinë. Ajo në vetvete ashtë e shpjegueshme sepse ajo lirikë mbështetet në përvojën e mitit të lashtë, përçue nga struktura komunikative natyrore si janë besimet popullore e fenat.

Ky lirizëm për shumë poetë mërgimtarë të letërsive të vogla, si e jona, vjen vonë, në moshë të shtyme. Ata edhe kur janë të grishun në ndoj festë popullore ose në ndoj darkë mbërrijnë vonë, gjithkund tepër vonë! Arsyeja ashtë se ata tanë jetën me torbë në krah prej vendi në vend, humbën edhe ndijimin e kohës, mosdallimin e të sotmes me të nesërmen.

MARTIN CAMAJ Mynih, maj 1991

Data sheet

pages752
ISBN9789928226150
Published year2017
Vendodhja e botimitTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
I ri1