Letersia Shqipe. Nje histori e shkurter View larger

Letersia Shqipe. Nje histori e shkurter

Robert Elsie SB0074

New product

Përshkrim i shkurtër

Në nivel ndërkombëtar, tema e letërsisë shqipe ende mbetet përgjithësisht e patrajtuar. Kjo lënie pas dore vjen kryesisht nga mungesa e specialistëve ndërkombëtarë me njohuri të shëndosha të gjuhës letrare shqipe dhe jo për shkak të ndonjë mungese të vetë krijimtarisë letrare.

More details

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Skanderbeg Books
ISBN978-99943-85-04-6

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 other products in the same category:

More info

Letërsia shqipe është një letërsi europiane, e megjithatë, ajo është zhvilluar relativisht e veçuar nga kultura mbizotëruese europiane. Shqiptarët, të cilët rrjedhin nga fiset nomade vendëse të Ballkanit Jugperëndimor, dhe që janë mësuar të jetojnë në një terren malor nga më të thepisurit në të gjithë gadishullin, i konsoliduan vendbanimet e veta larg udhëkryqeve më të rrahura të qytetërimit europian. Kultura e tyre ka qenë dhe mbetet një kulturë krejt e ndryshme dhe unike europiane, ndërsa letërsia e tyre e shkruar edhe sot pasqyron shumë prej karakteristikave të saj të veçanta. Madje ky është një prej faktorëve që e bën letërsinë shqiptare kaq të mahnitshme. Për fat të keq, për letrat shqipe është shkruar shumë pak, sigurisht, me përjashtim të veprave të botuara në vetë gjuhën shqipe. Vëllimi "Letërsia shqipe: një histori e shkurtër", orvatet të mbushë këtë zbrazëti, duke bërë një përshkrim të përmbledhur të zhvillimit të të shkruarit krijues në gjuhën shqipe. Ai përqendrohet tek autorët dhe rrymat më kryesore të letërsisë shqipe, që prej teksteve më të hershme në shekujt e trembëdhjetë, pesëmbëdhjetë dhe gjashtëmbëdhjetë, deri tek fillimi i mijëvjeçarit të ri, dhe është shkruar duke pasur parasysh një lexues të zakonshëm, që mund të mos ketë shumë njohuri në këtë fushë. Si i tillë, libri mund të jetë i dobishëm si udhëzues për të gjithë ata, fushat e interesit të të cilëve përfshijnë kulturat ballkanike, letërsinë e krahasuar dhe historinë e kulturës europiane në përgjithësi. Letërsia shqipe u zhvillua relativisht vonë dhe rritja, madje edhe vetë ekzistenca e saj, është rrezikuar në shumë periudha. Libri i parë i botuar në gjuhën shqipe, sipas të dhënave që kemi, u shkrua në vitin 1555. Por pavarësisht nga ai dhe nga vepra të tjera të hershme, për letërsi kombëtare në Shqipëri mund të flitet me plot gojën vetëm nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë e më tej. Bima e brishtë e letërsisë shqiptare u rrit në një tokë shkëmbore. Ajo herë mbinte e lulëzonte, dhe herë shkulej nga dheu prej rrjedhës brutale të historisë politike të Ballkanit. Letërsia e hershme e Shqipërisë së krishterë humbi nën flamujt e islamizmit, kur vendi u bë me dhunë pjesë e Perandorisë Otomane. Letërsia e Shqipërisë myslimane, shumë pak e njohur edhe sot, u tha e u vyshk në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur shqiptarët i kthyen shpinën Portës së Lartë dhe deshën të krijojnë një shtet të pavarur europian. Fillesat e shëndosha të letërsisë moderne në vitet 1930 u shfarosën pa mëshirë nga udhëheqësit stalinistë, që morën pushtetin në vitin 1944 dhe e mbajtën deri në vitin 1990. Dhe së fundi, me të rënë diktatura, letërsia shqiptare e realizmit socialist, krijesë e regjimit komunist, u bë e vjetruar dhe e padëshirueshme. Për periudha të tëra historike, për shqiptarët ka qenë e ndaluar me ligj që të shkruanin dhe botonin në gjuhën e tyre. Librat dhe shkollimi në shqip ishin të ndaluar në të gjithë Shqipërinë pothuaj deri në fund të sundimit otoman në vitin 1912, dhe një ndalim i ngjashëm, herë zyrtar dhe herë jozyrtar, ka qenë në fuqi edhe në Kosovë nën sundimin serb, deri në vitet 1960. Megjithatë, kjo bimë e brishtë e kësaj toke të ashpër legjendare ka prodhuar disa lule të mahnitshme, shumë prej të cilave e meritojnë vëmendjen e botës së jashtme. Pas një mungese të gjatë, gjashtë deri në shtatë milionë shqiptarët e Ballkanit po rifitojnë tani vendin e tyre në Europë dhe kultura e tyre në lulëzim meriton më shumë njohje e vlerësim. Do të shpresoja që ky libër të japë shtysën e nevojshme për këtë. Nuk më mbetet tjetër veç t'u shpreh mirënjohjen time shumë njerëzve dhe institucioneve që më kanë ndihmuar në përgatitjen e këtij libri. Falënderime të posaçme i takojnë Janice Mathie-Heck nga Kalgari (Kanada) për rishikimin e versionit përfundimtar të dorëshkrimit.

Data sheet

pages216
ISBN978-99943-85-04-6
Published year2006
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
Numri i botimeveI parë
PërkthyesiMajlinda Nishku