I ri Gruaja e togerit frëng Shiko më të madhe

Gruaja e togerit freng

John Fowles PE0167

Libër i ri

Përshkrim i shkurtër

I renditur nga Time Magazine në listën e 100 veprave më të mira të gjuhës angleze, ky roman është një nga shembujt më të njohur dhe të arrirë të letërsisë postmoderne. Një histori magjepsëse që vë në lojë, me shumë delikatesë, paragjykimet e personazheve dhe të vetë lexuesit.

Më shumë detaje

499 Artikuj

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

PEGI

1 200 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

30 libra të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

Çarls Smithson, një burrë i ri në prag martese, që gëzon një pozitë shoqërore për t'u pasur zili, njihet krejt rastësisht me Sara Udrafin, teksa ajo vështron detin, e vetmuar. Që në faqen e parë, është tejet e qartë, që rrugët e Çarlsit dhe Sarës do të puqen, por autori e vonon takimin e tyre aq sa mjafton për ta ngarkuar atë me një magji erotike. Gjithçka mund të ndodhë... e a ka diçka më erotike se paqartësia?

Natyrisht që Çarlsi bie në dashuri, por historia ndërlikohet. Sara është një grua e shenjuar, e ndotur. Romanca e tyre do të sfidojë rregullat mbytëse të shoqërisë së asokohshme, e jo vetëm ato...

Papritur, autori i drejtohet lexuesit me një problem, të cilin na e shpjegon me shumë delikatesë në kapitullin 55, teksa ka marrë trenin për në Londër, bashkë me Çarlsin. Z. Fowles nuk di ç'të bëjë me këtë histori. Ai nuk mund ta manipulojë ngjarjen (“ta paracaktojë ndeshjen,” siç thotë ai), për t'i treguar “lexuesit atë që mendon për botën që e rrethon”, pasi kjo histori ka ndodhur para njëqind vjetësh dhe “ne e dimë çfarë ka ngjarë më pas”.

E vetmja zgjidhje pra, vendos ai, është të shkruajë dy përfundime. E kështu bën vërtet. I pari të ngroh zemrën, është fundi që do prisnim të gjithë, me një erotizëm të ngrohtë në vatrën familjare.

Pastaj vjen fundi i dytë, i cili shkatërron të gjitha hamendësimet tona mbi ndjeshmërinë e shekullit XIX dhe na lë duke vrarë mendjen se në cilin shekull ka pasur më shumë liri seksuale. Është sa tronditës, po aq edhe komik.

Ndër librat bestseller më të dashur në botë, “Gruaja e togerit frëng” është një nga romanet më interesante të letërsisë angleze bashkëkohore, në të cilin shkrihen mjeshtërisht ëndrrat joshëse dhe realiteti zhgënjyes.

VLERESIME RRETH LIBRIT

I mbushur me mistere magjepsëse që kërkojnë zgjidhje, por zgjidhjet fshihen deri në faqen e fundit. Edhe më tej. Kur e mbarova, e nisa përsëri, duke kërkuar gjurmët që nuk i kisha vënë re më parë, duke analizuar fillimin, tani që njihja fundin.

- The New York Times

Një roman-lojë i mrekullueshëm, ku gjetjet e shkëlqyera postmoderne i shtohen mprehtësisë së personazheve klasike.

- Time Magazine

Një sukses i shkëlqyer... një shkrim i zjarrtë, si dhe një shembull i patëmetë rrëfimtarie.

- Financial Times

Edhe sikur ta lexoni disa këtë libër, do të gjeni gjithmonë diçka të re dhe do të bini gjithmonë në dashuri me Çarlsin e ngratë.

- Daily Mail

Një vepër arti e shkëlqyer, e qartë, thellësisht bindëse; kur e mbarova, më lindi dëshira ta lexoja sërish.

- Neë Statesman

Të zgjon një dëshirë të ethshme për të lexuar.

- Irish Times

I shkëlqyer... një artist me një imagjinatë të jashtëzakonshme.

- Sunday Times

 

Fragmente nga libri

1)... jemi të gjithë romancierë, kemi domethënë zakonin të shkruajmë të ardhme të trilluara për veten, ndonëse në ditët e sotme priremi më shumë nga filmi. Projektojmë në mendje hipoteza mbi si duhet të sillemi, çfarë mund të na ndodhë; dhe këto hipoteza narrative apo kinematografike, kur e ardhmja e vërtetë bëhet e tashme, shpeshherë kanë mbi sjelljen tonë një ndikim shumë më të madh nga sa përgjithësisht pranojmë.

2) Disa burra ngushëllohen me mendimin se ka gra edhe më pak tërheqëse sesa gratë e tyre. Disa të tjerë ngacmohen kur kuptojnë se ka të tjera më tërheqëse se to.

3) E megjithatë, kjo largësi – tërë këto humnera të pakapërcyeshme që u kapërcyen më pas nga radioja, televizioni, turizmi i lirë e të tjera e të tjera – nuk ishte dhe aq keq. Njerëzit dinin më pak për njëri-tjetrin, ndoshta, por ata ndiheshin më të lirë me njëri-tjetrin. Kishin, pra, individualitet. Për ta bota nuk ishte një buton apo një klik larg. Të huajt ishin të çuditshëm, madje ndonjëherë çuditërisht tërheqës dhe të bukur. Ndoshta është më mirë për njerëzimin që ne komunikojmë shumë e më shumë. Por unë jam heretik: unë mendoj se të parët tanë izoloheshin për të pasur më tepër hapësirë për të shijuar. Ua kam zili. Botën sot e kemi kaq pranë, madje na ka vënë përfund.

4) I rrethuar nga kjo luzmë pyetjesh si grerëza filloi të ndiejë keqardhje për veten: një njeri brilant i zënë në çark, një Bajron i zbutur shtëpiak, dhe mendja iu rikthye te Sara, te pamje të përfytyruara në përpjekje për të risjellë në kujtesë atë fytyrë, atë gojë, ato buzë. Padyshim kjo zgjoi tek ai vegime, por ato ishin të vagullta e të përgjithshme, dhe ndoshta nuk buronin nga e shkuara e tij. Por kjo e shqetësoi dhe e grishi, duke zgjuar tek ai një vete që as e dinte që e kishte. I tha vetes: “Është marrëzia më e madhe, por ajo vajzë më tërheq.” E dinte edhe vetë, pra, se nuk ishte Sara në vetvete që e tërhiqte – e si mundej ai? Ai ishte i fejuar! – por ndonjë emocion, ndonjë mundësi që ajo simbolizonte. Sara e bënte të vetëdijshëm se i mungonte diçka. Të ardhmen e kish parë gjithnjë si një pafundësi mundësish, ndërsa tani e shihte papritmas të tkurrur në një rrugë të përcaktuar drejt një vendi të njohur. Pikërisht këtë i kish kujtuar Sara.

5) ...ishte një fytyrë e paharrueshme, një fytyrë tragjike. Dhimbja derdhej prej saj e kulluar, natyrshëm dhe pandalshëm si ujët e një burimi mes pyjeve. Pa shtirje, pa hipokrizi, pa maskë; dhe mbi të gjitha, pa asnjë shenjë marrëzie. Marrëzia gjendej në detin e zbrazët, në horizontin e zbrazët, në mungesën e arsyes për një dhimbje të tillë; sikur burimi të ish i natyrshëm në vetvete, por i panatyrshëm meqë dilte nga shkretëtira.

Shënim: Ky botim realizohet falë ndihmës financiare të Komisionit Europian. Ai pasqyron vetëm pikëpamjet e autorit dhe Komisioni nuk mund të konsiderohet përgjegjës për përdorimet e mundshme të informacioneve që përmban teksti

 

Të dhëna

Faqe485
Viti i Botimit2017
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
PërkthyesiParid Teferiçi
RomanPsikologjik