I ri Pa heronj, pa buje Shiko më të madhe

Pa heronj, pa buje

Ndriçim Ademaj PE0141

Libër i ri

Përshkrim i shkurtër

Një roman përpirës, përkujtues, i trishtë dhe zemërdhënës njëkohësisht, një histori njerëzore që përcjell absurditetin dhe tëhuajzimin në qytetet e mëdha, dhembjen për vendlindjen e largët dhe të përvuajtur, kompleksitetin e luftës së Kosovës parë nga sytë e një fëmije

Më shumë detaje

49 Artikuj

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

PEGI
Fletët146
ISBN9789928228932

600 Lekë

Share

30 produkte të tjerë nga e njëjta kategori:

Më tepër

Një histori që përshkon dy kohë, dy vende, dy përjetime të ndryshme në dukje të huaja për njëra-tjetrën. Heroi ynë lëkundet mes një dashurie të pavetëdijshme për Sarën dhe kujtimeve gjysmë të trishta - gjysmë gazmore të fëmijërisë së tij në Kosovë.

Xhim-Nimi i gjendur në një shtrat spitali, në një të tashme që ai e vetë e quan "koha zero" (në kuptimin material dhe mendor të saj) rindërton me flashbeck-ë të vazhdueshëm, jetën e tij të deritashme. Ka shumë për të kujtuar nga e shkuara e afërt, e kaluar rrugëve të panjohura të Gjenevës, ku endet si një refugjat nga njëri bar në tjetrin, në kërkim të diçkaje që as ai vetë s'e di ç'është; por s'mbetet pas as rrëmimi në fëmijëri, marrëdhënia e vështirë dhe e dhunshme me të atin, dashuria ligështuese e së ëmës, nëpërkëmbja prej djemve të lagjes, flirtet e para të ëmbla me shoqet e klasës, për t'u përqendruar më tej te lufta e ashpër e serbëve kundër Kosovës, një luftë që parë nga sytë e fëmijëve herë tingëllon jo fort e egër, (fëmijët lumturohen kur mbyllet shkolla), herë shfaqet me gjithë makabritetin e saj.

Në këtë roman, nuk ka idhuj, ka njerëz të mundur, të tradhtuar, herë-herë të harruar, që s'dinë të rrahin gjoksin, por rreken të mbijetojnë.

Shkurt është një roman që fare mirë mund te ishte shkruar nga cilido autor që ka provuar mbi kurriz luftën dhe jo vetëm atë të vërtetën, por luftën e përditshme për të mbetur individ i pacenuar dhe i qetë mendërisht e shpirtërisht.

Autori nuk gjykon, ai thjesht rrëfen me një gjuhë të qartë, dhe herë pas here lë të nënkuptojë më shumë se ç'ka tregon.

Mes dy anëve të medaljes, Xhim-Nimi ndihet i përhumbur rrugëve të Zvicrës në kërkim të një identiteti, që nuk mund të hiqet e të vishet si një gunë e errët dimri, por që të qëndron pranë, në anë, në brinjë, si një kone e vogël e ledhatuese, e me raste, shndërrohet në një bishë të pakontrollueshme.

E atëherë, mbetet vetëm t'i kthesh gjoksin bishës, ta dëgjosh të hungërijë e të të tregojë dhëmbët, të ndiesh erën e tërbimit të saj e të vëresh dëshpërimin që i flakëron në sy.

Fragmente nga libri

1) Të gjitha rrugët të çojnë në pidh të s’ëmës. Ndoshta nuk duhej ta merrja veten shumë seriozisht...

Jeta është një nevojtore ku ndonjëherë futen edhe do flutura të bukura. E bash këto të marrin në qafë. Ishte kohë e shkurtër për të ndërmarrë diçka të njëmendtë. Diçka të

E di fort mirë, e prapë po e lë veten të përrallem nga jeta si fëmijë që s’di të mbajë inat. Për dreq, armiku më i madh I kujtesës është nostalgjia.

Kjo mund të ishte krejt lehtë një dhomë luksi në Hotel Beau Rivage. Çarçafët janë të bardhë dhe të pastër. Jastëku është i butë. Pothuajse gjithçka është njësoj, veçse në vend të pastrueseve epshndjellëse, këtu endet një infermiere që ndërron fasha dhe gjilpëra infuzionesh.

Dritarja duhet të ketë qenë hapur në mëngjes. Dy flutura u janë përvjedhur rojeve dhe janë futur në dhomë. Kjo mund të jetë dita e tyre e fundit. E, edhe këtë ditë të fundit po e çojnë dëm në këtë dhomë të bardhë spitali. Nuk duhej ta merrja veten shumë seriozisht...

2) Rrugët vlonin nga njerëzit. Ishte ditë pazari. Ndoshta në liri të gjitha ditët janë ditë pazari. Kolona e veturave ecte ngadalë dhe ne hapëm dritaret që të hynte ajri i pastër.

Ndërkohë dy njerëz u kapën fytas me njëri-tjetrin. Babai tha se desh u vranë për një kile gjizë.

A ishte kjo liria?

Mbas njëfarë kohe mbërritëm në lagje. Asgjë nuk kishte ndryshuar. Përveç meje. Dhe derës së oborrit. Me ngjyrë të kuqe dhe shkronja të shtrembra shkruhej “UÇK – MOS E PREK”. Dy burra të veshur me rroba ushtarësh po mundoheshin ta thyenin drynin që e kishte vënë babai ditën kur dolëm.

– Po çka po bani bre burra? – u foli ai.

Ata kthyen kryet. I njoha. I kisha parë në kampin e refugjatëve tek mbushnin ujë bashkë me gratë e tyre. Si duket ata kishin pasur një autobus më të shpejtë dhe kishin mbërritur para nesh.

– E çka po të duhet ty? – ia ktheu ai që ishte më i trashë se tjetri.

– Qysh more çka po më duhet? Asht shpija jeme.

– Po çfarë shpija jote bre, kjo asht shpi e shkaut.

Shikova edhe njëherë mirë për të parë mos kishim gabuar shtëpi. Shtëpia ishte po ajo dhe gazetat që mbulonin dritaret nuk ishin prekur.

– Jo bre burra, e paskeni ngatërru. Mos jeni nisë për te kjo përballë, – ua ktheu babai me njëfarë droje.

Dy burrat panë njëri-tjetrin dhe folën diçka me zë të ulët.

– Me na falë. E gëzofshi lirinë! – thanë dhe morën mjetet e punës për t’ia mësyrë shtëpisë përballë.

Mbas pak nga shtëpia përballë dolën dy vajza të vogla. Kishin veshur bluzat e hijshme të Jelenës. Më duket se më erdhi të qaj, por nuk qava.

Ne u nisëm për te shtëpia e gjyshit. Hana ecte vetë, duke e mbajtur nënën për dore.

A ishte kjo liria?...

Të dhëna

Lloji i botimitHard Copy
Fletët146
ISBN9789928228932
V. Bot2017
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
Grupmoshambi 18 vjeç
StatusiI ri
Numri i botimeveI parë
Përmasat14x21
RomanPsikologjik