MARTIN CAMAJ - VEPRA E PLOTË (10 vëllimet) Shiko më të madhe

Martin Camaj - Vepra e plote (10 vellimet)

BO0055

Libër i ri

Përshkrim i shkurtër

E gjithë krijimtaria e Camajt përmblidhet në dhjetë vëllime. Ato i paraqiten lexuesit jo në formë të njëtrajtshme për nga madhësia. Lexuesit i vijnë në ndihmë edhe parathëniet e studimet shoqëruese, të kryera mirëfilli nga vetë autori apo specialistë a njohës të profilizuar të veprës së tij.  Vepra letrare e Martin Camajt i kumton lexuesit “variantën gege”, të lëvruar e të sprovuar në rrethet letrare shkodrane të kohës, të cilën shkrimtari ynë në gjallje të vet nuk reshti së përpunuari dhe pasuruari në formë dhe leksik. 

Më shumë detaje

998 Artikuj

Detaje të librit

Shtëpia Botuese

Onufri
ISBN9789995687199

15 000 Lekë

Shto në listën e librave që dua

Porosit me një klik

Share

Më tepër

Kontakti me lexuesit në gjithë hapësirën shqipfolëse ishte dëshira dhe synimi i Martin Camajt, shkrimtarit më të spikatur në letërsinë e mërgatës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit kultura shqiptare në Shqipëri, Kosovë e gjetkë është fokusuar në ngërthimin e veprës së tij në fondin e artë të trashëgimisë sonë.

Ky botim - më i ploti - i opusit letrar të Martin Camajt prej shtëpisë botuese “Onufri” e sendërton më së miri këtë ndërmarrje afatgjatë, që u shestua qysh herët si projekt i përbashkët me shoqatën kulturore “Martin Camaj” (Lenggries) dhe degën e albanologjisë pranë universitetit elitar Ludwig-Maximilian të Munihut.

E gjithë krijimtaria e Camajt përmblidhet në dhjetë vëllime. Ato i paraqiten lexuesit jo në formë të njëtrajtshme për nga madhësia. Renditjen e tyre nuk e përcakton domosdoshmërisht kriteri kronologjik dhe as ai i llojit apo zhanrit letrar. Si kriter bazë është marrë shkalla e vështirësisë, përkatësisht mënyra më e përshtatshme e përditësimit hap pas hapi të lexuesit me veprën e autorit. Gjithsesi, lexuesit, për këtë qëllim, i vijnë në ndihmë edhe parathëniet e studimet shoqëruese, të kryera mirëfilli nga vetë autori apo specialistë a njohës të profilizuar të veprës së tij.  

Vepra letrare e Martin Camajt i kumton lexuesit “variantën gege”, të lëvruar e të sprovuar në rrethet letrare shkodrane të kohës, të cilën shkrimtari ynë në gjallje të vet nuk reshti së përpunuari dhe pasuruari në formë dhe leksik. Gjatë përgatitjes për shtyp të veprës jemi përpjekur të pasqyrojmë me besnikëri tekstin letrar në versionin e tij përfundimtar, qoftë ky i botuar apo i lënë në dorëshkrim nga autori.

Ndjekja me akribi e këtij kriteri pune kushtëzon tek-tuk vështirësitë që mund të hasë lexuesi i sotëm kur përcjell ndonjë fjalë, fjalëformë apo ndërtim sintaksor pak të njohur në ligjërimin e përditshëm; ose ndonjë karakter grafik, siç është, për shembull, përdorimi i disa llojeve të theksave.

Për rastin e parë, lexuesit i vjen në ndihmë një fjalorth fjalësh e fjalëformash të rralla, që i bashkohet tekstit letrar në fund të çdo vëllimi. Vazhdohet kështu nisma që vetë Camaj e sendërtoi në botimin e parë të romanit “Djella” (Shêjzat, Romë, 1958, f. 139-142).

Sa i përket rastit të dytë, le të përcjellim më mirë kumtimin e vetë shkrimtarit: “U mbajt edhe drejtshkrimi i botimeve të para; për ma tepër, për të lehtësue leximin e saktë, në plot raste u përcaktuen tri gjatësitë e rrokjes: <`> (shikò) shënon zanoren e shkurtë, <´> shënon zanoren e gjatë, si për shembull sýt, ndërsa gjatësia e mesme në rrokjen e theksueme shprehet tue i shtue fjalës në fund një <ë>: sytë (sytë e zez), po ashtu si emnat femnorë: dritë, frymë etj. Për këtë periudhë krijimi, të tri gjatësitë e shqipes kishin dhe kanë për autorin edhe funksion metrik, posaçe në mbarimin e vargut ose ndër cezura mbrendë në varg”(Poezi 1953-1967: në këmishë të librit). Të njëjtin funksion luan jo rrallë edhe apostrofi /’/, kur shënon rrudhjen e strukturës rrokjesore të fjalës (n’për krahas nëpër, nepër etj.), ndërsa shenja e tildës <˜> mbi një shkronjë zanore shënon zanoret hundore, tipike të gegërishtes. Viza lidhëze <-> shfaqet shpesh në kompozita (shtat-hjedhët), por edhe fjalëforma (ep-na).

Njohja e këtij mekanizmi lehtëson leximin e rrjedhshëm të tekstit, duke mundësuar kështu përjetimin e vetë artit të Martin Camajt.

Botuesi

Të dhëna

ISBN9789995687199
Titulli origjinalonufri
RedaktoriPërgatiti Bardhyl Demiraj
VendodhjaTirane
GjuhaShqip
Tipi i publikimitLibër
StatusiI ri