Arshi Pipa

Arshi Pipa lindi më 20 korrik 1920 në një familje me origjinë libohovite në Shkodër. I ati, Mustafa Nuri Pipa, qe jurist i shkolluar në Stamboll. Vitet e para të arsimimit i mori tek Kolegji Saverian e më tej në liceun shtetëror të Shkodrës, (Ndarje Klasike) në 1938, më pas studioi për filozofi në Universitetin e Firences. Disertacioni i tij, “Morali dhe feja tek Bergson” u paraqit në 1942 me të cilini mori gradën e doktorit në filozofi, në përputhje me sistemin italian. Në vitin 1941 ai kthehet në atdhe, ku u emërua mësues filozofie në Liceun Shtetëror të Tiranës. Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë. Në prill 1946, u arrestua, për shkak të kundërshtimit të tij kategorik për të vepruar në përputhje me politikën e regjimit totalitar. Dokumentimi i dhjetë viteve (1946-56) kaluar në burgjet dhe në kampet e punës së detyruar, gjendet tek “Libri i burgut” (1959). Në 1957-ën u arratis për në Jugosllavi ku jetoi për disa kohë si refugjat. Gjatë asaj periudhe përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe, me përkthime, dhe kapituj mbi elemente metrikë dhe shënime.


Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofinë (1960). Gjatë vitit akademik pasues, meqenëse ra në sy për njohjen e thellë të italishtes, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë, ’61, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira. Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar (Profesor i asociuar i përkohshëm në vitet 1963-64) në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje u jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, (1965), si edhe filozofi Romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D).


Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës (gjithashtu në Anglisht) dhe, në veçanti, kurseve të ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Ëashington, D. C., pranë së motres, Fatimes.


Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet.


Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, qi trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.


Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.


Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh.


“Trilogjia Albanica’, shkruan Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi.


Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri qi duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare”.


Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.


Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, edhe shqip. Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit më të mirë botërorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”.


Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj.Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën).


Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikë s dhe të gjuhësisë. Ai erdhi në Shqipëri në vigjilje të ndryshimit të sistemit, por u largua për të mos u kthyer më këtu as si studiues dhe as si njeri aktiv, me pengje dhe kritika të mëdha ndaj tij nga elita e dikurshme.

Lista e librave të autorit

Shfaq 1 - 9 nga 9 libra
Shfaq 1 - 9 nga 9 libra