Lista e librave sipas autorit Rexhep Qosja

Rexhep Qosja lindi më 25.6.1936.

Ka kryer studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Është specializuar në shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit. Është doktoruar me temën “Asdreni - jeta dhe vepra e tij”.

Ka qenë profesor i estetikës dhe drejtues i studimeve të shkallës së tretë për filologji në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe për 11 vjet drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. 

Ka qenë kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni.


Ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës ndërkohë që kryeadministrator i Kosovës ishte Bernard Kushner.


Merret me prozë - tregime e romane, dramaturgji, histori të letërsisë, kritikë, eseistikë, publicistikë dhe polemikë. Veprat “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Bardha”, “Çështja shqiptare – historia dhe politika” dhe “Populli i ndaluar” janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Drama të tij janë shfaqur në teatrot e Kosovës, të Shqipërisë, në disa qendra në ish-Jugosllavi dhe në Europë. 


Shkrimet e tij publicistike të botuara në shtypin kroat e slloven kundër politikës serbe ndaj shqiptarëve, duke filluar nga viti 1981, shënojnë fillimin e dejugosllavizimit të mendimit politik shqiptar në Kosovë.


Është anëtar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës prej themelimit të saj dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.


Në vitin 1998 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” i Republikës së Shqipërisë.


Është shpallur “Qytetar Nderi” i qyteteve Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë.


Në vitin 2012 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi serinë e veprave të tij në 29 vëllime.

Më shumë
Shfaq 1 - 2 nga 2 libra
Shfaq 1 - 2 nga 2 libra